Flash News

OP-ED

Shkrepi  kjo protestë studentore dhe u pamë

Shkrepi  kjo protestë studentore dhe u pamë

Ndriçim Kulla

Në analizimin e protestës studentore dhe në procesin e të kuptuarit se ç’po ndodh realisht, një pyetje ka qenë  gjithmonë e pranishme në të gjitha arsyetimet: Pse vallë studentët vazhdojnë të këmbëngulin në mos dërgimin e një grupi përfaqësues apo në krijimin e një “ure” të një lloji tjetër për të vazhduar dialogun me qeverinë? Është një pyetje në dukje  e thjeshtë, e në mos edhe naive, por njëherësh besoj edhe kyçi për të interpretuar gjithçka që po ndodh.

Në mendësinë e politikës shqiptare, gjithmonë dialogu ka qenë ai që ka munguar, dhe në këtë rast duket e natyrshme të mendohet e çuditshme refuzimi i dialogut. Nuk di t’i them me siguri arsyet e verteta, por një gjë është mëse e qartë: është kryeministri ai që po mundohet ta kanalizojë gjithë rrjedhën e këtij vërshimi të fuqishëm rinor të derdhet pikërisht në atë fushë ku ai është më i fuqishmi, në fushën e demagogjisë dhe manipulimit të informacionit.

Përgjatë të gjitha protestave dhe problematikave që janë hasur gjatë këtyre viteve, mazhoranca ka shfaqur një mjeshtëri të rrallë të zbutjes, absorbimit e në fund edhe shuarjes së çdo vatre tensioni sado të madh apo të vogël, me anë të mekanizmave të saj të joshjes, klientelizmit e deri dhe blerjes me favore apo kushedi çfarë të përfaqësuesve të shumë grupimeve apo shtresave të caktuara në konflikt.

Kjo gjë ka ndodhur me naftëtarët, minatorët, artistët, etj, madje kjo ka ndodhur edhe me opozitën. Kuptohet atëherë që me zgjuarësinë dhe me zërin e tyre të brendshëm  studentët i druhen pikërisht kësaj: zbutjes, përçarjes, dhe në fund kthimit të situatës në favorin e të akuzuarit, në një kohë kur merita më e madhe i takon atyre që akuzuan dhe ngritën në fokus këtë sistem tashmë të kalbur arsimor. Është vërtet ulëritëse të shihet se qeveria ishte krejtësisht e panjohur ose e papërgatitur (ose ashtu duhej ta hiqte veten) me problematikat e majisura të ligjit të arsimit të lartë.

Në një kohë që dihet lufta e gjatë prej vitesh që intelektualët më të mirë të fushës kanë bërë për të denoncuar rrjedhimet dhe dëmet që do t’i sillte ky ligj sistemit. Ndaj, çdo dialog me studentët duhet të fillonte me një mea culpa të madhe dhe ulëritëse të qeverisë për autonominë (vërtet të nevojshme) që u dhuroi universiteteve, por të administruar shumë keq nga ky ligj. E kjo mea culpa duhet të jetë e sinqertë, jo demagogjike, duke sulmuar opozitën, ose mështetësit e studentëve artistët dhe intelektualët, e më tej, duhet të jetë e ndershme, në kuptimin se gabimet janë kuptuar thellë dhe do të korrigjohen po njëlloj, nëpërmjet një reforme të thellë.

Besoj, se këto janë arsyet, që i dyzojnë studentët të hyjnë në dialog, ata e kupotojnë se fare thjesht mund të bien në rrjetën e artikulimit të kryeministrit, që natyrshëm i ka të gjitha mjetet dhe mundësitë t’i rregullojë gjërat dhe t’i plotësojë  të gjitha pikat, duke dalë i pa lagur nga e gjitha kjo histori.

Po si mund të imagjinohet vallë një qeveri që të jetë kaq e “befasuar” nga mijëra hallet e studentëve? Si mund të besohet se pikërisht ngaqë studentët u ngritën, tani u kuptua se në ç’llum korrupsioni dhe paaftësie ata janë endur gjatë gjithë këtyre viteve? S’është vallë kjo demagogjia më ulëritëse? Apo në të vërtetë kjo është simptoma e një sëmundje tjetër akoma dhe më të dhimbshme.

Duket se klasa jonë udhëheqëse u gjend krejtësisht e befasuar nga përmasa e situatës së keqe në të cilën ndodhet arsimi shqiptar, për arsyen e thjeshtë se është larguar krejtësisht nga realiteti. Po njëlloj, edhe media nuk dha asnjë sinjal që e njihte gjendjen dhe nuk e ngriti kurrë problemin në gjithë seriozitetin e tij. Edhe ajo tregoi një mungesë të theksuar të njohjes së realitetit. E gjitha kjo është tragjedia më e madhe që na bëri të njohim kjo protestë. Qeveria, ministrat, media, janë mbyllur dhe janë larguar tmerrësisht nga realiteti.  

Ja, pse ia vlen të themi me gjithë zë: Shkrepi kjo protestë dhe u pamë! U pamë, por dhe njohëm me gjithë vërtetësinë e duhur njëri-tjetrin. Shembulli model i studentëve tashmë nuk mund të shpërfillet, mënyra e sinqertë (e natyrshme edhe pak kaotike), gjithë kolorit dhe fantazi të mrekullueshme e protestimit të tyre, zëri i brendshëm apo zgjuarësia e kuptimit të relitetit bizantin të politikës shqiptare dhe mekanizmi që ajo zgjodhi për të mos u përdorur prej saj, duhet të jenë masa, kuti, pasqyra tek e cila duhet të shihet zhvillimi dhe qasja parësisht politike, por edhe publike, civile dhe intelektuale e së ardhmes.

Përfundimin e një lloji të tillë proteste të organizuar nga politika, sic ishte protesta e çadrës opozitare të para dy viteve, ne tashmë e dimë. Përmes dialogut final, të fshehtë e të panjohur, qeveria e atëhershme ofroi shumë më tepër se çka i kërkonte prej muajsh opozita, ofroi big mac-un e saj të famshëm. Edhe sot, studentëve po u ofrohet shumë më tepër se 8 pikat që kërkojnë, atyre po u përgatitet një big mac i ngjashëm, vetëm e vetëm që të tërhiqen në rrjetën e qeverisë, e pastaj problem të trajtohet si çarda e të përfundojë si gjithmonë, në favorin e mjeshtërisë propagandistike të mazhorancës.

Kjo protestë do të sulmohet nga të gjitha llojet e anëve, edhe mund të përçahet, edhe mund të shkojë drejt lodhjes, zhbërjes, pasi qeveria nuk mund ta humbasë kurrë një rast të tillë për t’u shfaqur si triumfatore dhe shpëtimtarja e situatës. Por s’duhet të zhbëhet dhe të humbasë kurrësesi shembulli që ajo po jep. Me këtë shembull duhet të krahasohet që sot e tutje e gjithë e ardhmja e politikës shqiptare, mazhorancë dhe opozitë, e gjithë e ardhmja e shoqërisë sonë civile, mediatike e pse jo dhe intelektuale.

Kjo do të jetë pasqyra ku duhet të shihet çdo program politik apo ekonomik, por parësisht social që do t’i ofrohet nga sot e tutje çdo fashe të shoqërisë. Kjo do të jetë pasqyra ku do të shihet edhe çdo qasje apo veprim që kërkon të jetë vërtet frymëzues për popullin dhe elektoratin e ardhshëm. Është detyra jonë parësore të mos e thyejmë këtë pasqyrë, ta ruajmë ashtu të pastër dhe shkëlqyese para syve të së tashmes dhe të mos e harrojmë në sytë e së ardhmes. Përndryshe, s’do të bindim dhe s’do të frymëzojmë më askënd.                       

 

Të fundit