Shkrimi i ‘OBC’: Shteti shqiptar ka kapitulluar; Kuvendi u kthye në Gjykatë për çështjen Tahiri. Edhe opozita i është shmangur drejtësisë

‘Think Tank’-u i specializuar për zhvillimet politike në Evropën Juglindore dhe rajonin e Kaukazit, OBC Transeuropa, ka publikuar një artikull për situatën e rënduar ku ndodhet Shqipëria pas skandalit të çështjes Tahiri.

Më titull: “Shqipëria: shteti është vetë organizatë kriminale”, ky artikull paraqet një situatë tragjike për vendin tonë, duke nisur nga lidhjet e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, me bandën e Habilajve, deri te mbrojtja që Partia Socialiste dhe kryeministri Edi Rama i dhanë në Këshillin e Rregullores.

OBC thekson se qëndrimi i Ramës për Tahirin ndryshoi në më pak se 24 orë, ndërkohë që seanca e Këshillit në Kuvend u kthye në seancë gjyqësore kundër Prokurorisë. Në artikull pasqyrohen edhe protestat pro-Tahirit para ambienteve të Kryesisë së Kuvendit, si një mjet presioni për të mos bërë drejtësi për këtë çështje, dhe fyerjet ndaj gazetarëve që i drejtonin pyetje deputetit socialist.

Në shkrim nuk mungojnë as raportimet për lëvizjet e opozitës, e cila tashmë është bashkuar, por sipas OBC, të gjithë liderët opozitarë i janë shmangur më parë drejtësisë nëpërmjet lidhjeve politike, burokracisë dhe recetave mjekësore.

Në fund, në artikullin që mban emrin e autorit Tsai Mali, thuhet se dosja me 400 faqe e prokurorisë italiane konfirmon kapitullimin e shtetit shqiptar.

Saimir Tahiri nxjerr një letër nga Katania: Nuk ka asnjë procedim ndaj meje; Saimiri në përgjime nuk jam unë