Flash News

KRYESORE

Shkrirja e DAR në Shkodër, kryebashkiakja: Veprim i pajustifikueshëm, tërhiquni sa jeni në kohë

Shkrirja e DAR në Shkodër, kryebashkiakja: Veprim i

Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi ka reaguar pas vendimit të marrë nga Ministria e Arsimit se Drejtoria Arsimore Rajonale e Veriut nuk do të jetë më në Shkodër, por në Lezhë.

Ademi shprehet se nuk e shikon thjesht si çështje krenarie, por cënimi të mundësisë për zhvillim largimin e DAR nga Shkodra. “Aq më shumë, kur kjo çmenduri e qeverisë aktuale vjen pasi u larguan edhe dy drejtori të tjera të rëndësishme si ajo e Arkivave dhe e Ujrave”, shton kryebashkiakja.

“I bëj thirrje publike Ministrisë së Arsimit, ministres Shahini dhe vetë kryeministrit Rama: Tërhiquni sa jeni në kohë”, shprehet Ademi.

Reagimi i plotë:

Së pari flas si ish- pedagoge, atëherë si qytetare e Shkodrës, por edhe kryetare e Bashkisë. Kjo qeveri, ky kryeministër, merr përsipër të tejkalojë edhe diktatorin komunist për 45 vite. Edhe pse Shkodra e shkodranët përjetuan persekucionin më të egër në vend, Instituti i Lartë Pedagogjik ishte më cilësori në vend, duke i dhënë arsimit shqiptar mijëra mësimdhënës që u shquan me kontributin e tyre anëkend Shqipërisë.

E sot, kur Shkodra ka një universitet, Edi Rama po i heq Drejtorinë Arsimore Rajonale, duke e kthyer në një zyrë, si ato që sot janë në Pukë e Malësi të Madhe, në varësi të DAR Shkodër.

Unë nuk dua ta shikoj thjesht si çështje krenarie por e cënimit të mundësisë për zhvillim largimin e DAR nga Shkodra. Aq më shumë, kur kjo çmenduri e qeverisë aktuale (sepse nuk mund ti gjej emër tjetër), vjen pasi u larguan edhe dy drejtori të tjera të rëndësishme si ajo e Arkivave dhe e Ujrave.

Një logjikë normale njerëzore, nuk gjen një arsye, një motiv që të justifikojë këtë veprim të qeverisë. As edhe hakmarrja, përmes të cilës po e trajton Shkodrën prej 6 vitesh ky kryeministër, nuk mund të jetë motiv.

Sa nuk është vonë, i bëj thirrje publike Ministrisë së Arsimit, ministres Shahini dhe vetë kryeministrit Rama: Tërhiquni sa jeni në kohë! Tërhiquni sepse do të ndjeheni të turpëruar përjetë jo vetëm përballë Shkodrës e shkodranëve por edhe Shqipërisë e shqiptarëve kudo ku janë.

E në fund, dua t’u kujtoj se nuk mund ta gjunjëzoni Shkodrën! Nuk ia doli komunizimi me diktatorin Enver Hoxha, e nuk do t’ia dalë as neokomunizmi i ditëve të sotme.

Të fundit