Flash News

KRYESORE

Shpallja e gjendjes së emergjencës në Shkodër, vendimi që qeveria refuzon të marrë

Shpallja e gjendjes së emergjencës në Shkodër, vendimi

Qeveria vazhdon të hezitoj të shpallë gjendjen e emergjencës në Shkodër dhe zonat përreth, pavarësisht kërkesave të njëpasnjëshme.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka theksuar se gjendja po përkeqësohet dita-ditës duke fajësuar qeverinë se po sillet në mënyrë kriminale.

“Shkarkimet e ujit nga KESH vazhdojnë në nivele të larta. Sipërfaqja e përmbytur është dyfishuar brenda dy ditësh.Deri tani kryeministri dhe vartësit e tij kanë injoruar kërkesën e përsëritur të kryetares së Bashkisë, këshillit bashkiak, kryetares së Qarkut dhe deputetëve demokratë, për të shpallur emergjencën. Në këto kushte kjo nuk është vetëm e papërgjegjshme por kriminale”.

Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi ka deklaruar se shkak i përmbytjeve janë shkarkimet e hidrocentraleve. “Shkak i përmbytjeve nuk janë kanalet kulluese, por shkarkimet e tejskajshme, ndoshta dhe të pakontrolluara. Punonjës të Vaut të Dejës nuk u lejuan as celularë të mbanin në punë, pasi kishin frikë mos na lajmëronin ne. Do hetohet kjo çështje, ndoshta është akuzë e rëndë. Ka që në datën 5 mars dhe sot jemi në datën 20”, ka thënë Ademi në emisionin “Studio e Hapur”.

Megjithatë arsyeja janë paratë. Nëse qeveria shpall gjendjen e emergjencës, detyrimet që rrjedhin nga ligji i emergjencës shkojnë në dhjetëra milionë euro.

Por si, pse dhe kur shpallet gjendja e emergjencës? Gjendja e emergjencës mund të shpallet në një pjesë të territorit, ose në të gjithë vendin kur plotësohen këto kritere.

Në rastin e përmbytjeve mund të shpallet gjendja e emergjencës kur:

a-niveli i ujërave arrin pika kritike në disa zona të matshme

b-një ose më shumë lumenj kanë dalë jashtë shtratit në përmasa të rrezikshme

c– kur jeta e popullsisë civile, gjësë së gjallë dhe pronat janë rrezikuar seriozisht

Pas shpalljes së emergjencës, të gjitha veprimet e organeve shtetërore rregullohen nga ligji për emergjencat civile.

Në nenin 1 ky ligj thotë:

Planëzimi dhe përballimi i emergjencave civile janë detyra të shtetit shqiptar që synon: parandalimin, pakësimin dhe riaftësimin nga çdo dëmtim që prek popullatën, gjënë gjallë, pronën, trashëgiminë kulturore dhe mjedisin nga emergjencat civile”.

Pra, nëse qeveria e shpall gjendjen e emergjencës, ligji e imponon një dëmshpërblim në masën 100 për qind të çdo dëmi që prek popullatën.

Në 7 vitet e fundit Shqipëria e ka shpallur dy herë gjendjen e emergjencës për fatkeqësitë natyrore: në të dyja rastet nga ish-qeveria “Berisha”.

Të fundit