Shpërthim në një fabrikë fishekzjarrësh në Turqi: 150-200 persona brenda objektit, e pamundur ndërhyrja

Një shpërthim ka ndodhur në një fabrikë fishekzjarrësh në provincën Sakarya në Turqinë veriperëndimore. Shpërthimi ka ndodhur në kohën që 150 deri në 200 persona mund të kenë qenë brenda fabrikës, raporton Anadolu Agency (AA).

Nuk dihen ende shkaqet e shpërthimit të ndodhur në fabrikën e fishekzjarreve në rrethin Hendek. Zëri i shpërthimit është dëgjuar në shumë pjesë të qytetit në largësi prej rreth 50 kilometrash, duke alarmuar shumë qytetarë të cilët kanë dalë jashtë. Në zonë janë dërguar ekipe shëndetësore dhe të zjarrfikësit.

“Sipas informatave që kemi marrë nga pronari i fabrikës, brenda ka midis 150 dhe 200 njerëz, por ndërhyrja aktualisht është e pamundur pasi shpërthimet vazhdojnë”, tha guvernatori i provincës, Vali Kaldırım, tha për Anadolu Agency.

“Të gjitha ekipet tona janë atje. AFAD, ekipet shëndetësore, zjarrfikësit, UMKE, xhandarmëria, policia, të gjitha njësitë tona. Rreth fabrikës janë marrë të gjitha masat. Meqenëse bëhet fjalë për fabrikë fishekzjarrësh dhe shpërthimet vazhdojnë, aktualisht nuk po mund të intervenojmë”, shtoi Kaldırım.

Nga ana tjetër, siç bëhet e ditur, ministri i Brendshëm, Süleyman Soylu, ministri i Shëndetësisë, Fahrettin Koca dhe ministrja e Familjes, Punës dhe Shërbimeve Sociale, Zehra Zümrüt Selçuk, janë nisur drejt zonës së fatkeqësisë.