Shqipëria anuloi pjesëmarrjen për Kosovën në samitin e Bosnjës, Meta në darkë me ministrat e rajonit

Shqipëria i doli në krah Kosovës pasi lajmëroi se nuk do të merrte pjesë në samitin e Bosnjës, duke konfirmuar po ashtu mospjesëmarrjen. Gjithçka sepse Kosova nuk u trajtua njësoj si pjesëmarrësit e tjerë.

Por presidenti Ilir Meta ndryshe nga diplomacia shqiptare, ka konfirmuar prezencën në një darkë që do të mbahet sonte në Sarajevë, në kuadër të Samitit të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore. Ditën e nesërme, kreu i shtetit shqiptar do të jetë në takimin në nivel presidentësh në Jahorinë.

Organizatorët reaguan për mospjesëmarrjen e Shqipërisë dhe Kosovës, duke e quajtur këtë një goditje për bashkëpunimin rajonal. Ndërkohë që nga diplomacia shqiptare dhe kosovare trajtimi ndaj Kosovës ishte jonormal.

Kreu i shtetit ose nuk i ka marrë parasysh qëndrimet e diplomacisë shqiptare, ose ka vendosur që të shkojë në takim, në përpjekje për të zbutur situatën.

Presidenti kosovar Hashim Thaçi dy ditë më parë njoftoi mospjesëmarrjen e vendit të tij në këtë samit, me argumentin se shteti nuk është trajtuar si i barabartë me pjesëmarrësit e tjerë. Organizatorët nuk e kanë ftuar Thaçin në cilësinë e presidentit, por thjesht si një përfaqësues, ndryshe nga drejtuesit e vendeve të tjera.

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj, tha se Shqipëria, solidarizohet me Kosovën, pasi anuloi pjesëmarrjen në samit, kryesisht për shkak të marrëdhënieve të organizatorit me Kosovën. Cakaj tha se trajtimi ndaj Kosovës shkon kundër synimit për të krijuar një atmosferë besimi, marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe stabilitet.