Flash News

OP-ED

Shqipëria: dua të të bëj të palumtur

Shqipëria: dua të të bëj të palumtur

Endrit Avdullari

Matësi ndërkombëtar i lumturisë i publikuar dje nga Kombet e Bashkuara dhe fondacioni Ernesto Ili e vendosi Shqipërinë në vendin e 107-të në botë përkrah Venezuelës apo Palestinës dhe më të palumturën në rajon. Në krye gjenden siç pritej vendet nordike dhe subjektet e kurorës britanike por edhe me disa befasi në krye të tabelës si Kosta Rika apo Izraeli. Në fund të tabelës gjejmë kryesisht vendet e prekura nga luftëra civile si Sudani, Ruanda apo Afganistani.

Në 50 vendet e fundit të këtij klasifikimi gjejmë vetëm 3 vende Evropiane, Ukrainën që është në konflikt me Rusinë. Armeninë e cila është në konflikt me Azerbaixhanin dhe Shqipërinë që është në konflikt me…vetveten.

Pikët janë vendosur në bazë pyetësorësh të shpërndarë gjatë periudhës 2016-2018 ku banorët kanë vetëvlerësuar lumturinë e tyre mbi bazën e disa çështjeve si shëndeti, politikat qeveritare, shpresa për të ardhmen, koha e lirë, siguria, punësimi, marrdhëniet mes njerëzve, pabarazitë në shoqëri etj. Rezultatet përfundimtare pastaj krahasohen me 6 ndryshore kryesore për të shpjeguar përfundimin të cilat janë të ardhurat për frymë, ndihmat  sociale,  pritshmëria e jetës së shëndetshme, liria, bujaria dhe (mungesa e) korrupsioni (-t).

Në rang botëror, duket që bota është përgjithësisht më e lumtur nga ç’ishte në vitin 2006 përjashto një rënie të lehtë gjatë krizës financiare të 2007-2008-ës. Ironia do që rritja më e madhe të ketë ardhur nga Evropa qëndrore dhe lindore si pasojë e uljes së pabarazisë në këtë rajon.

Të dhënat e Shqipërisë janë tejët interesante nga pikëpamja statistikore. Tregues që priten të ndikonin këtë përfundim si të ardhurat e ulëta për frymë apo korrupsioni në fakt kanë një peshë nën mesatare.  Vende si Guatemala (e 26-a) apo Kosova (46) janë më të lumtura edhe pse kanë të ardhura më të ulëta. Goditja e vërtetë për Shqipërinë është mungesa e ndihmës sociale nga politikat qeverisëse që tregon se shqiptarët kanë tepër frikë se n.q.s. “bien në dorë” të shtetit duke patur problem me punën, shëndetin, biznesin etj.  ata nuk do kenë mbështetjen e qeverisë apo shoqërisë si dhe distopia e lartë që tregon një ndjesi të thellë pabarazie dhe padrejtësie në vend. Kjo tregon se shqiptarët janë përgjithësisht të palumtur edhe kur kanë të ardhura të mira. Gjithashtu shqiptarët janë ndër më të frikësuarit se nuk do kenë një jetë të gjatë dhe të shëndetshme dhe ndiejnë që nuk kanë lirinë e duhur për të bërë zgjedhjet që duan në jetë.

Ndërkohë të dhënat na tregojnë një panoramë krejt tjetër në Kosovë ku ndihma që ata marrin nga shteti dhe shoqëria janë thelbësore në lumturinë e tyre ndërkohë që ata vlerësojnë shumë edhe lirinë e marrë që nga shpallja e pavarsisë – edhe pse ende e cunguar - ku të dhënat në këtë drejtim tregojnë nivele të krahasueshme edhe me Mbretërinë e Bashkuar apo Italinë. Jo rastësisht Kosova është vendi i dytë më i lumtur në rajon pas Sllovenisë.

Ndryshimi i madh dhe njëkohësisht më i trishtueshëm mes Shqipërisë dhe Kosovës është pikërisht optimizmi. Kosovarët kanë prirjen të mendojnë që gjërat po ecin përgjithësisht mirë krahasuar me 2005-ën. Ata janë vend i 16-të përsa i përket ngjitjes në këtë klasifikim nga 132 vende të mbuluara nga studimi.  Shqiptarët ndërkohë mendojnë të kundërtën për vendin e tyre duke mos patur shpresa se gjërat do përmirësohen çka shkakton dhe pikëllimin e popullsisë sipas autorëve.

Megjithatë, ka një lajm të mirë që na bën krenarë dhe që përputhet me urtësinë e popullit tonë ku thuhet se ai që ka pak është më bujar. Jo rastësisht, vendet më të varfra në Ballkan Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut dhe Kosova janë më bujare edhe se vende shumë më të pasura në rajon si Bullgaria apo Greqia me Kosovën që sipas të dhënave kryeson në këtë drejtim.

Të fundit