All - Scripts - 4
All - Scripts - 5

Flash News

Desktop - General - 1

KRYESORE

Shqipëria e humbi edhe këtë tren

Shqipëria e humbi edhe këtë tren
All - Paragraf - 1

Naum Mara

All - Paragraf - 3

Edhe pse mediat pranë Qeverisë, po mundohen ta paraqesin raportin e fundit të Bashkimit Europian, si shenjë se negociatat me Shqipërinë do hapen brenda gjashtëmujorit të parë të këtij viti, kur lexon komentet e eurodeputetëve dhe zyrtarëve të tjerë, duket qartë se “treni i negociatave” pas pak do niset nga stacioni dhe ne do e humbim edhe këtë radhë.

Nënteksti, edhe në raport edhe në deklarata, është: “Ne ju duam europianë (edhe për të mos lejuar ndikimin rus dhe turk), por për këtë duhet të tregoni vullnet se doni të bëheni europianë, atëhere do e mbyllim një sy.”

Cilat janë faktorët, që e favorizojnë përparimin e çështjes së Shqipërisë në raport me Brukselin?

Orientimi proeuropian dhe proamerikan i pjesës dërrmuese të popullsisë, që nuk haset në vende të tjera.

Gjeopolitika – Për të mos lejuar një ndikim në rritje të Erdoganit në korridorin Shqipëri- Kosovë-Bosnjë.

Këta janë të vetmit faktorë të rëndësishëm, sepse gjendja në vend e korrupsionit, lidhjeve të politikës me botën e krimit, raportet jo në lartësinë e duhur me fqinjët, klima e brendshme politike, ecja “në vend numuro” e goditjes së kriminalitetit, si dhe treguesit kryesorë të ekonomisë, nuk e favorizojnë hapjen e tratativave.

Të ashtuquajturat reforma të Ramës dështuan. Reforma në Drejtësi është e vetmja kartë me të cilën mund të “luftojë“ kryeministri në zyrat e Brukselit për të fituar hapjen e tratativave, të cilat mund t’i përdorë si kapital politik në zgjedhjet e ardhshme vendore dhe në ato parlamentare të vitit 2021.

Në rast se Reforma në Drejtësi nuk jep frytet e duhura brenda vitit, Rama nuk e kalon dot provimin në Bruksel.

Nisur nga veprimet e deritanishme të tij, pavarësisht deklaratave, Rama nuk ka vullnet të krijojë një sistem drejtësie të pavarur, që aq shumë i duhet Shqipërisë.

Qëndrimet e tij kontradiktore në çështjen Tahiri, bllokimi nga grupi i PS-së i arrestimit të ish-ministrit, ekstradimi i Seitit, dëshmojnë se Rama po pengon Reformën në Drejtësi.

Gjithashtu arrestimet selektive, apo vetëm denoncime për ndjekje penale të ish-aleatëve të LSI-së, tregojnë se qëllimi i Ramës është të përdorë Drejtësinë në luftën politike.

Edhe pse zyrtarët e huaj nuk mund të deklarojnë hapur se Tahiri duhet të arrestohet, ata janë të pakënaqur me mënyrën se si ka reaguar partia në fuqi për çështjen e tij. Për ta, Tahiri duhej të ishte arrestuar, në mënyrë që të përdorej edhe si “kokë turku” për vitet e kanabizimit të Shqipërisë.

Çështja e “luftës ndaj kanabisit”, e cilësuar si e suksesshme edhe nga ambasadorja Vlahutin, është një tjetër kartë për kundërshtarët e hapjes së tratativave në Bruksel.

Kur ishte kaq e lehtë për qeverinë, që ta “shfaroste” në disa muaj, përse nuk bëhej më parë?

Ishte vetë qeveria e përzier në mbjelljen dhe trafikimin e kanabisit?

Duhet pranuar, se problemi i Shqipërisë është shumë i ndërlikuar për Brukselin edhe për shkak të mungesës së “alternativave të pastra” në politikën shqiptare.

Mbi LSI-në rëndojnë shumë mëkate të viteve kur ka qënë në qeveri.

PD-ja nuk ka arritur të sigurojë një mbështetje të fortë popullore, edhe pse largoi në korrik nga vendet drejtuese disa nga “mëkatarët” e saj.

Ndaj “teoria e pritjes” për të parë se si do rrjedhin ngjarjet, ka më shumë gjasa të aplikohet në rastin e Shqipërisë.

Pjesët e përgjegjshme të tri forcave kryesore politike, duhet të lëvizin për të bërë diçka për të ndryshuar gjendjen.

Me Ramën nuk mund të hyhet në Europë.

Largimi i tij dhe një qeveri e një koalicioni të madh, me synim afatshkurtër zbatimin e Reformës në Drejtësi dhe kushteve të tjera të Brukselit, mund të jetë e vetmja mundësi, që çështja shqiptare të hedhë hapa para.

Kështu si jemi, Europa nuk do na pranojë as edhe për disa dhjetëvjeçarë.

 

Të fundit