Flash News

OP-ED

Shqipëria e ka fituar ‘luftën’, tani i duhet të fitojë jetën

Shqipëria e ka fituar ‘luftën’, tani i duhet të

Alfred Lela

Dy muaj të rëndë ranë mbi shpinën e kërrusur të këtij vendit tone, që e quajmë Shqipëri, një copë gjeografi që në poemat dhe iluzionet e rilindasve (jo këtyre të Ramës) ‘ka pasë kenë nji zonjë e randë’. Kanë qenë muaj të mbushur me ditë sureale, me portretin e kërleshur të kryeministrit dhe gjuhën e tij ku filloi të strehohej lufta, siç vetë ai banonte në shtëpinë-bunker, si për të realizuar një pamundësi të Enverit, që në rast sulmi do të fshihej në një tunel të stërgjatë në Skrapar.

Në fillim të majit, muajit të fundit të pranverës, një stine që këtë vit e humbëm në betejën me koronavirusin, quajeni ‘luftë’ po deshët, qeveria i ka lehtësuar masat, me një drojë të natyrshme, në fakt. Italianët, grekët, francezët e të tjerë, janë duke bërë të njëjtën gjë: duke nxjerrë kokën letargjike pas perdes së izolimit dy mujor për të parë nëse ‘armiku i padukshëm’ ka ikur apo jo.

Ajo që vlen të përmendet është se Shqipëria nuk është mposhtur nga vdekja këta dy muaj, por nga prania e saj, nga pritshmëria se mortja që kish trokitur në derën e botës mund t’ia behte edhe këtu. Tani në maj, me shpresën e një fillimi të ri, edhe ata që besojnë se qeveria nuk i ka ndihmuar, ata as Shqipërinë, duhet ta ndihmojnë qeverinë duke besuar se po e bëjnë për Shqipërinë.

Mund të argumentohet gjatë për ndërhyrjet e qeverisë gjatë pandemisë, brutale për disa e të drejta për disa të tjerë, por në finale, për hir të qeverisë apo të fatit, jemi jashtë kurbës dhe pa e prekur realisht pikun, i cili ngjethi shumë vende, duke filluar nga Italia, Spanja dhe Shtetet e Bashkuara.

Prej ditësh ne nuk dëgjojmë për vdekje të reja ardhur prej Covid-19 dhe, te ky ‘armëpushim’ i virusit duhet ta themelojmë shpresën dhe përkujdesjen tonë. Prania e vdekjes nuk ka qenë vetëm fizike, nuk ka përmbytur vetëm trupat e atyre që ka marrë dhe të familjarëve të tyre, por ka ushtruar trusni psikologjike mbi të gjithë shqiptarët. Në mos frika nga vdekja, të paktën rëndesa e izolimit.

Ndoshta, propozimi i parë që shoqëria duhet t’i bëjë vetes është shkrehja e të gjitha çadrave të Covid-it në vend. Duket pa kuptim raportimi i të prekurve tashmë, siç vetë Covid-i ia ka humbur kuptimin raportimit të të vdekurve, duke e kthyer në nul, për shkak se prej një jave, a më shumë, nuk ka patur të vdekur. Duke ‘i përjashtuar’ të prekurit dhe të vdekurit nga raportimet ditore, duke e ‘zhgraduar’ epideminë në një sëmundje çfarëdo, vendi do të fillojë, të pandehë të paktën, se normaliteti po rikthehet. Sepse e ka një paradoks, në fakt: javën e fundit më shumë vetë kanë vdekur dhe janë prekur nga ekzekutimet për larje hesapesh se sa nga Covid-19. Kjo nuk do të thotë aspak se duhet t’i shpallimet epidemi larjet e hesapeve, por nuk do të thotë gjithashtu se duhet të mbajmë veshur kamuflazhin e pandemisë, çka tashmë duket si më i rëndomti grip.

Kjo shkarkesë psikologjike nuk duhet shoqëruar asesi me shkujdesjen tipike shqiptare. Duhet t’i lajmë duart shpesh, edhe sikur asnjë virus të mos na kërcënojë; duhet të mos pështyjmë rrugëve si derra; duhet ta mbajmë për vete teshtimën dhe jo të salutojmë qytetin me të; duhet të ruajmë distancën nga tjetri/a; duhet të mbajmë një kordon sanitar dhe etik, i cili me thënë të drejtën, duhet të jetë kusht edhe për më normalen e ditëve, dhe jo më tani kur shpinës së botës iu derdh rrëqethja tramundanë e Covid-19.

 

Të fundit