Flash News

KRYESORE

Shqipëria e mèmè (cë)-ve!

Shqipëria e mèmè (cë)-ve!

Red Varaku

Sot Shqipëria na shfaqet në dy dimensione. Njëra është Shqipëria reale, e thelbit , e aftë për t'u përballur me sfidat e reja, e cila po vjen edhe po bëhet çdo ditë dhe më e papërfillshme në numër, ndërsa tjetra është Shqipëria virtuale, e formës, Shqipëria që nuk lexon.

Ky realitet i ri po e transformon Shqipërinë. Ajo po bëhet çdo ditë edhe më e paaftë për të kuptuar sfidat komplekse të mjëvjeçarit të ri, si dhe është bërë më kokëulur ndaj pushtetit , që e poshtëron dhe e dhunon atë pa mëshirë. Por, përse sot ajo duket më e dorëzuar dhe më e pafuqishme se kurrë për t’iu kundërvënë padrejtësive të një pushteti që e poshtëron, e grabit dhe e dhunon? Çfarë e ka shkaktuar vdekjen e “nervit” të revoltës në shoqërinë tonë, dhe përse pushteti nuk i druhet më revoltës popullore? Nga buron pandjeshmëria jonë ndaj dhimbjes që shkakton një qeveri që përbuz popullin e saj?

Arsyet për pandjeshmërinë dhe mosreagimin janë të shumta, por arsyet më të rëndësishme janë të renditura si vijon: Së pari, Shqipëria që nuk lexon nuk ka ideologji, prandaj shijon vetëm spektakël, i cili në fakt “prodhon vetëm nënshtrim dhe impotencë mendore”. Si pasojë ajo nuk e kupton që po udhëhiqet nga një kastë tradhtarësh dhe kriminelësh, një nga elitat më të korruptuara në rajon. Ajo e ka të pamundur të ndajë iluzionin që ndërton propaganda politike nga realiteti. Ajo bie shumë lehtë prè e propagandës, e cila ndez eufori dhe zjarrmi brenda saj, duke shtypur çdo mendim që buron nga nevoja për liri.

Përmes imazheve, tumaneve, mirazheve, instalacioneve, sloganeve dhe klisheve, ajo sajon te mendjet e vogla dhe karakteret e dobëta, idenë e një realiteti rrëzëllitës dhe kompleks, si dhe krijon kushte për inkuizicion masiv të gjithkujt që guxon ta kontestojë. Propaganda krijon një lloj ekstaze kolektive drithëruese dhe e fut injorancën, në një gjendje amnezie fatale.

Sepse, Shqipëria që nuk lexon është e varur ndaj imazheve të manipuluara me mjeshtëri nga mjeshtrat e lavazhit, masazhit dhe propagandës, të cilat serviren përmes nuancave ambigue dhe e bëjnë atë konfuze, sepse ajo parapëlqen narrativa sempliste, parapëlqen një lloj silazhi haluçinant propagandistik spektakolar, diarre komentesh rrjetesh, merimangash. Injoranca preferon më shumë iluzionin e një jete të lumtur, sesa të vërtetën e një jete të vetmuar.

Së dyti, Shqipëria që nuk lexon është viktimë e një propagande të maskuar si ideologji, viktimë e aromës dhe yshtjes së qofteve dhe birrës, kanabisit dhe eurove, kazanit dhe tepsisë, timonit dhe euforisë, silazhit dhe tallazhit, “amballazhit”. Shqipëria që nuk lexon, nuk e kupton që përdoret si mish për top. Në fund të ditës, pas amnezisë, pasi gjeli i detit të jetë ftohur, jeton përsëri në ankthin që krijon rreziku permanent i një kolapsi total financiar, jeton në ankthin e një epoke pa të ardhme, në ankthin dhe ngricën që sjell vetmia.

Por, magjia e pilulave dhe e spektaklit e rikthen përsëri në gjendje amnezie, në një fantazi irracionale, përmes pseudo-ngjarjeve të njëpasnjëshme, fotokopje bardhezi të njëra-tjetrës. Me një ritëm dhe shpejtësi, të papërballueshëm për trurin e vogël të homo sapiensit, i cili mbetet thjesht soditës i një realiteti, që ka ngrirë në cikle ngjarjesh të krisura, pa kuptim, ndaj magjepsjes së të cilit është dorëzuar pa kushte, siç i është gjunjëzuar pa kushte iluzionit vezullues që krijojnë mjeshtrat e spin-it, predikuesit sharlatanë, klloun-artistët e spektakleve, gurutë e motivimit, dhe një industri e tërë argëtimi e cila sugjeron forma nga më absurdet të arratisjes shpirtërore.

Së treti, lajmet “fake”, debatet sterile, serialet trushpëlarës nuk ofrojnë më ide sepse idetë e lodhin audiencën. Ato ofrojnë vetëm argëtim dhe shalë-ma(e)sazhe për masat sepse masat janë të obsesionuara me sipërfaqësoren, aparencën, dritat, fishekzjarret, shkëlqimin. Emisione me opinione të balancuara dhe informacion të besueshëm, pothuajse nuk egzistojnë më. Të gjitha informacionet janë kthyer promocione dhe marketing, të punuara hollë nga “piarët e inxhinjerimit social”. Libraritë pothuajse po zhduken tërësisht nga qytetet tona, ndërsa po lulëzojnë farmacitë.

Ndërsa librat që qarkullojnë, kryesisht nëpër panaire, supermarkete, më së shumti janë biografi diktatorësh, ditare prostitutash, histori spiunësh dhe konspiracioni. Pra, ajo nuk reagon dhe nuk revoltohet, sepse ndodhet në një gjendje anestezie totale. Ajo nuk ndjen dhe nuk arrin të dekonstruktojë realitetin ku ndodhet, ndaj e ka të pamundur të ndajë iluzionin që ndërton propaganda nga realiteti, ngaqë i mungojnë konceptet intelektuale për të kuptuar kompleksitetin e problemeve me të cilat po përballet sot.

Si pasojë, shoqëria jonë po shkon drejt një kolektiviteti të sëmurë dhe të pakujtesë me një impotencë mendore të pashembullt, një shoqëri që ka humbur kuptimin e vetvetes dhe atë të vetë jetës, ku individët nuk janë tjetër veçse “copa mishi me dy sy “!

Të fundit