Flash News

OP-ED

Shqipëria, një LEGO e braktisur, që nuk mund të përfundohet…

Shqipëria, një LEGO e braktisur, që nuk mund të

Dritan Shano

Nuk e di deri kur do e shohim të keqen si Zotin, dhe jo si armikun tonë. Kjo do duhet te marrë fund një ditë. Na duhet të ndryshojmë strategji, nga adaptimi ndaj së keqes te mposhtja e saj.

Ky është transformimi më i madh kulturor që duhet të kryejmë.

Shqiptarët gjithnjë janë adaptuar me të keqen. Bile edhe kanë marrë formën e saj, siç ndodhi me pushtuesin osman, nga i cili adaptuan krejt sistemin totalitar të shtetit, kulturën, fenë, zakonet, tingujt dhe kuzhinën, të cilat vazhdojmë t’i mbajmë ende.

Apo edhe me pushtuesin komunist, ku përveçse përforcuam edhe më sistemin totalitar të vlerave, adaptuam ca me dhunë, ca me dëshirë, edhe institucionalizimin e vëllavrasjes. Edhe pse janë adaptuar kështu me të keqen në shtëpi të vet, duke e vënë dhe mbajtur mbi krye, ata shqiptarë që iknin, arrinin të kishin sukses në çdo vend ku shkonin, sepse e keqja që gjenin atje ishte më e vogël se e keqja që linin pas në Shqipëri.

Problemi është se, në 4 apo 5 vitet e fundit, kur mendohet se nuk jemi më nën ndonjë sistem totalitar qprej 27 vjetësh, dhe kur nuk jemi të detyruar të vrasim vëllanë, përveçse për forcë zakoni, kanë ikur nga Shqipëria pothuaj 13% e popullsisë; numri i lindjeve nga viti 1990 në vitin 2017 ka rënë me 62%, njësoj sikur në këtë vend të kish rënë murtaja e zezë; dhe gati 60% e popullsisë shqiptare është shprehur se dëshiron të largohet nga Shqipëria, bashkë me macen apo qenin e shtëpisë, një minutë e më parë!

Këto shifra, këto fakte të verifikueshme, tregojnë se e keqja në Shqipëri është bërë aq a madhe sa kurrë ndonjëherë, aq sa karakteristika kryesore e jona – aftësia për t’u adaptuar me të keqen nuk pi më ujë - shqiptari nuk arrin më të adaptohet me të, nuk arrin më ta absorbojë të keqen që ka mbi krye, por është i detyruar t’i ikë asaj, drejt të këqijave më të vogla.

Shqipëria po shkretohet, po shuhet.

Pavarësisht se sa e keqja mund ta admirojë punën e vet mbi këtë vend, shqiptarët që ikin, dhe shqiptarët që nuk vijnë, janë si ato copat që mungojnë dhe, që e bëjnë Shqipërinë e sotme t’i ngjajë një loje fëmijësh LEGO të lënë përgjysëm, të braktisur, që nuk mund të përfundohet.

*Autori është Drejtor Ekzekutiv i Fondacionit Ascalon.

Të fundit