Flash News
Përfshihet në flakë një apartament te bulevardi ‘Zogu i Parë’ në Tiranë
Berisha: Ishim opozita e parë që kërkuam anëtarësimin në NATO pas rënies së komunizmit
Lirohet nga qelia ish-kryebashkiaku i Fushë Arrëzit, Fran Tuci
Konstituimi i grupit të dialogut PD-PS, Bylykbashi: Prioritet është Reforma Zgjedhore
Konstituohet grupi i dialogut mes opozitës dhe mazhorancës për ‘Reformat’
Shqipëria sërish në fokusin e radikalëve të AfD, kërkesë qeverisë së Merkel: Na informo për bashkimin me Kosovën dhe për kriminalitetin
Partia më e madhe opozitare gjermane, Alternativa për Gjermaninë (AfD), ka dorëzuar një kërkesë në qeverinë federale ku kërkon informacione për Shqipërinë.
Deputetët Markus Frohnmaier dhe Dietmar Friedhoff, në emër të Grupit Parlamentar të AfD-së, kanë kërkuar informacione nga qeveria e Angela Merkel për idenë e bashkimit të Shqipërisë me Kosovë, rolin që luan vendi ynë në rajon dhe kriminalitetit e shqiptarëve në Gjermani.
"Në Shqipëri ekziston konsensus mbipartiak për anëtarësinë në NATO, integrimin në BE, për një shtet demokratik dhe kushtetues dhe për mirëkuptim në politikat rajonale", thuhet ndër të tjera në përgjigjen që ka kthyer qeveria.
Partia ekstremiste i ka shtruar pyetjet duke u nisur nga vizita e ministrit Heiko Maas në Tiranë, në shtator të këtij viti, dhe deklaratat e tij atje, ku e kishte vlerësuar ndër të tjera Shqipërinë edhe si garante të paqes në rajon.
AfD bën pyetje edhe lidhur me idenë e bashkimit etnik të shqiptarëve, ose siç quan ajo "Shqipëria e Madhe"."Shqipërinë dhe Republikën e Kosovës i lidhin marrëdhënie të ngushta bilaterale. Shqipëria e sheh gjuhën dhe kulturën shqipe si një pikë kontakti për bashkëpunimin ndërkufitar, sidomos me Kosovën", përgjigjet Ministria e Jashtme.
Sipas informacioneve të qeverisë federale gjermane, në Shqipëri, nuk ka parti politike që mbështesin bashkimin e gjithë shqiptarëve etnikë në një shtet. "Në Kosovë është lëvizja opozitare „Vetevendosje" e vetmja që e mbron këtë ide. Kushtetuta e Kosovës megjithatë e përjashton mundësinë e bashkimit me një shtet tjetër. Qeveria federale e ka bërë të qartë disa herë se ajo nuk mbështet ndryshime territoriale në Ballkan mbi bazën e kritereve etnike."
E pyetur rreth deklaratave të kryeministrit shqiptar Edi Rama në prill 2018 në lidhje me mundësinë e bashkimit me Kosovën, nëse mbyllen portat e BE-së, qeveria përgjigjet: "Në Shqipëri, sikurse edhe në vende të tjera të rajonit, diskutohen vazhdimisht alternativat e mundshme, në rast se nuk do të ketë anëtarësim në BE. Nga ana tjetër është e qartë se Shqipëria synon anëtarësimin në BE dhe po bën reformat e nevojshme për të", përgjigjet qeveria. Gjithashtu, qeveria gjermane thotë se nuk është në dijeni për aktivitete "nacionalistësh shqiptarë" në Mal të Zi dhe Greqi.
Pyetjes në lidhje me ekstremistë shqiptarë në Gjermani, qeveria i përgjigjet se nuk di që të ketë struktura ose tubime ekstremiste shqiptarësh në Gjermani. Por pranon se ndër anëtarët dhe simpatizantët e organizatave islamiste të gatshme për dhunë që veprojnë në Gjermani ka edhe individë me shtetësi shqiptare.
E pyetur për kriminalitetin e shtetasve nga Shqipëria dhe nga Kosova në Gjermani, Ministria e Jashtme i referohet të dhënave të Entit Federal të Kriminalistikës, sipas të cilit për vitin 2017 krimet kryesore të bëra nga shtetasit shqiptarë kanë qenë krimet e pronës, të lëndëve narkotike dhe të trafikimit. Nga 572 procedura hetimore të zhvilluara në këtë vit, 21 kanë qenë kundër grupeve të dominuara nga shtetasit shqiptarë, ndërsa 12 nga shtetasit e Kosovës. Kundër këtyre të fundit janë bërë hetime kryesisht për krime me lëndë narkotike, falsifikime dhe krime të pronës. Numri i shtetasve shqiptarë në hetim për krime të organizuara në vitin 2017 ka qenë 214, kurse ai shtetasve nga Kosova 195, nga gjithsej 8317 persona në hetim.
E pyetur se a financohen aktivitete ekstremiste shqiptare nga krimi i organizuar, qeveria gjermane përgjigjet se nuk është në dijeni. Së fundi, deputetët e AfD-së pyesin se sa është shuma e ndihmave për të cilat do të ketë nevojë Shqipëria si anëtare e BE-së? Qeveria gjermane përgjigjet se kjo shumë mund të llogaritet vetëm kur Shqipëria t'i ketë përmbyllur me sukses të gjithë kapitujt e negociatave të anëtarësimit.
"Alternativa për Gjermaninë” zë vetëm 12,6 përqind të vendeve në Bundestag, por, për shkak të qeverisë së koalicionit të madh mes CDU/CSU dhe SPD, është partia kryesore e opozitës. E krijuar në vitin 2013, AfD është e përfaqësuar në të gjitha parlamentet e landeve. Ajo është e vetmja parti e Bundestagut gjerman që është kundër anëtarësimit të vendeve të Ballkanit në BE. Në tetor ajo doli me një propozim që në vend të perspektivës së anëtarësimit shteteve të Ballkanit Perëndimor t'u ofrohet mundësia e krijimit të një Unioni të Ballkanit Perëndimor. (DW)