Flash News

KRYESORE

Shqiptarët: në 100 vite Pavarësi, 66 luftë

Shqiptarët: në 100 vite Pavarësi, 66 luftë

Zef Zefi

Loja dhe rregullat

Nuk ka prindër, familjarë, edukatorë, mësues, fqinj, bashkëbisedues etj, që nuk e kanë përdorur shprehjen nxitëse-urdhërore, "mos na bani potere kalamaj!". Ndaj kësaj zhurme dallohen tri qasje: Durimtare dhe liberale me shprehjen, "Hajt mor', kalamaj janë". Qasja e dytë janë të angazhuarit për ndalimin e poteres. Qasja e tretë u përket studiuesve, pedagogëve, psikologëve e psiko-analistëve të cilët bashkohen me Daniel Penak në disa përfundime të rëndësishme:

1-Fëmijët, qofshin këta edhe të panjohur për njëri-tjetrin ose e kundërta, socializohen dhe ndajnë kohë bashkë, vetëm nëpërmjet lojës.

2-Sasia e kohës që harxhojnë ata me shpikjen, dhe sidomos vendosjen e rregullave të lojës, është shpesh më e gjatë se koha që ata shpenzojnë me vetë lojën.

3-Kundërshtitë dhe zhurmat e fëmijëve ndodhin kryesisht në fazën e parë, dmth gjatë vendosjes se rregullave, sesa gjatë zhvillimit të lojës.

4-Fëmijët, duke qënë shumë afër natyrës zanafillore të njeriut, spontanë e instiktivë, janë qënie sociale dhe për të krijuar raport me njëri tjetrin, u duhet loja. Intuitivisht, ata ndjehen "kafshë politike" dhe dinë se, pa rregulla, norma, kufij e ligjësi, nuk ka lojë, për pasojë s'bëhet dot shoqëria, grupi, komuniteti.

Loja politike dhe afirmimi i luftës

Ndryshe nga shkrimtari dhe teoricieni i luftës, prusiani Carl Von Clauseëitz që thoshte se "lufta është vazhdim i politikës me mjete të tjera...," të cilën e vë në diskutim po vetë, duke shtuar se "...lufta është manifestim force që asgjëson rregullat..." (lojën), filozofi dhe psikoanalisti italian M. Ricalcati, duke mbështetur tezën e dytë të teoricienit, nënvizon se faktorët që e prishin, e vrasin politikën (këtë lojë të rriturish për të bërë komunitet, shoqëri, shtet e qytetërim), janë dy: Afirmimi i Luftës dhe Afirmimi i Perversitetit".

Vetëm me një kqyrje empirike të shekullit të parë të Shtetit Shqiptar, (1912-2012) vemë re se 66 vite nga njëqind rezultojnë vetëm luftë. Luftë që e asgjësoi politikën shqiptare për 66% të kohës së vyer për shoqë-rizmin, qytetërimin dhe shtetin e shqiptarëve. Prej tyre, luftrat e imponuara nga jashtë, Lufta E Parë Botërore, amullia dhe Luftrat ballkanike, deri te Kongresi i Lushnjes 1921, u kanë marrë shqiptarëve rreth nëntë vjet. Më pas, deri më 1944, ndodhin dy luftra të tjera; njëra është Grushti i Shtetit Nolian (1924), tjetra Lufta e dytë Botërore.

Të dyja bashkë i heqin shqiptarëve mundësinë për bërjen e shtetit edhe 6 vite. Gjatë Luftës së Dytë Botërore (mbas prishjes së Mukjes-1943) dhe mbas saj, u fermentua dhe aplikua Lufta e Klasave (civile), po aq e përgjakshme ndoshta më shumë, deri në fund të vitit 1991 ose pranverën e 1992, e barabartë me 48 vjet.

Mbas më pak se katër vitesh, demoni i luftës u shfaq përsëri në vitin 1997 nga e njëjta dirigjencë e Luftës së Klasave (civile) edhe për një vit tjetër. Fakti është se njëqind vitet e para (1912-2012) të Shtetit të tyre, shqiptarët kanë kaluar në luftra të imponuara nga jashtë; ato botërore e rajonale rreth pesëmbëdhjetë vite, që bashkë me luftrat brenda-shqiptare (civile,) gjithsejt 51 vjet, që do të thotë se 77% të luftës, shqiptarët nuk e kanë bërë kundër ndonjë shteti tjetër, por kundër vetvetes.

E trishtueshme gjithashtu është se, ndërsa janë zbardhur e hulumtuar shkaqet e pasojat e luftrave pushtuese a çlirimtare nga hisoriografia jonë profesionale, për ato ndër-shqiptare, që kanë degjeneruar mundësinë e popullit për të bërë shtetin e tyre si popujt e tjerë, historiografia ose bëhet joprofesionale, ose memece.

Po qe se kësaj statistike të nxirë historike luftrash endemike të shqiptarëve mes njëri-tjetrit, do t'i shtonim kohën përgatitore të urrejtjes, dhe ato postluftarake, do të zero-fikohej koha e politikimit, kohë të cilën kalamajtë e Daniel Penak, (këto "kafshë të vogla politike") nuk do ta humbnin kurrë.

 

Të fundit