Flash News

KRYESORE

Shqiptarët të fiksuar pas origjinalitetit, synojnë orët luksoze zvicerane

Ndonëse në Shqipëri ka dhe shtresa të varfëra të popullsisë, ata të cilët janë më mirë ekonomikisht (jo domosdoshmërisht), synojnë drejt mjeteve të luksit. Këtë e tregon dhe importi i orëve i cili është rritur me 70%.

 Sipas të dhënave nga Dogana, importet e orëve në Shqipëri u rritën me 71% në 2016-n në krahasim me pesë vite më parë. Zyrtarisht importet shënuan një vlerë prej 3.3 milionë dollarë, nga 1.9 që kishin qenë në 2012-n, shkruan Monitor.

Orët, veçanërisht ato të prodhuara nga kompani me emër, janë një mënyrë e mirë “për t’u dukur” dhe me sa duket, “milionerët e rinj” në qarkullim kanë rritur importet në vend.  Blerësit e produkteve të luksit janë kryesisht ata persona me të ardhura të larta ekonomike, por ka dhe nga ata që janë të fiksuar pas origjinalitetit, shumë prej të cilëve e bëjnë dhe për t’u dukur.

Kur flasim për orë luksi, sigurisht që Zvicra dhe Kina mbeten partnerët kryesorë.  Zvicra është e njohur për markat e njohura të orëve si Rolex, Audemars Piguet, Breitling, Chopard etj. Në periudhën kohore 2012-2016, importet e orëve nga Zvicra llogariten të jenë rreth 4.5 milionë dollarë.

Vendi me peshë të lartë për sa u përket importeve në vend është Kina. Në dallim prej Zvicrës, Kina është e njohur për imitacionet e markave të famshme të orëve. Të dy vendet së bashku përbëjnë mbi 65% të totalit të importeve. Nga të dhënat e Doganës importet e orëve nga Kina kapën vlerën e 1.18 milionë dollarë.

Të fundit