Flash News

KRYESORE

Shtohen mbështetësit e djegies së mandateve: Opozita duhet të radikalizohet

Propozimi i ish-kryeministrit Sali Berisha në fund të seancës së Kuvendit kur u zgjodh Arta Marku kryeprokurore e përkohshme, se deputetët e opozitës duhet të djegin mandatet si kundërpërgjigje e shkeljeve të vazhdueshme të Kushtetutës nga mazhoranca, po gjen gjithnjë e më shumë mbështetës.

Vetë kryetari i PD-së, Lulzim Basha, nuk e ka përjashtuar një veprim të tillë radikal, ndërkohë që brenda partisë ka deputetë që e kanë mbështetur propozimin, siç është rasti i Eduard Halimit.

Ndërkohë, pas protestës së 27 janarit, janë shtuar mbështetësit e kësaj ide.

Mbrëmjen e djeshme, në emisionin ‘Opinion’, ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani theksoi se mbështet djegien e mandateve sepse kjo do i shërbente përshkallëzimit të klimës së protestës.

“Në LSI e kam thënë dhe e mbroj këtë gjë, dhe mirë do të ishte të ishte bërë. Nëse djegia e mandateve i shërben përshkallëzimit të klimës së protestës dhe shkurton ditët e qeverisë, pse jo, le të digjen ato mandate, nuk ka asgjë të keqe”, deklaroi Manjani.

Edhe ish-zv/ministrja e Jashtme, Edith Harxhi, sot pjesë e grupit anti-Basha, kërkoi radikalizimin e opozitës nëpërmjet djegies së mandateve.

“Opozita duhet të radikalizohet nëpërmjet djegies së mandateve. Kështu bëhet radikalizimi. Nëse nuk ka aksion politik atëherë opozita është e humbur. Nëse nuk radikalizohet opozita do të ketë lëvizje anti-establishment”, tha Harxhi.

Gazetari Armand Shkullaku ishte gjithashtu pro djegies së mandateve, pasi siç tha ai, në një vend që është kapur nga mafia nuk mund të protestosh me lule.

“Ka dy rrugë, ose do ta përmbysësh duke dalë jashtë sistemit, dhe unë jam partizan i kësaj, djeg mandatet, përplasje, thyen xhamat. Është normale, në një vend që e ka marrë peng mafia, si mund të protestosh me lule? E dyta, rrëzoje me votë, por zgjeroje rrethin”, tha Shkullaku.

Të fundit