Shtohet trysnia për Reformën Zgjedhore, pas SHBA reagon BE dhe OSBE: Të përmbushet deri në 31 maj  

Ndërsa kanë mbetur edhe tri ditë nga afati i paracaktuar si dita e përmbylljes së Reformës Zgjedhore, më 31 maj, faktori ndërkombëtar ka shtuar presionin mbi klasën politike në vend.

Pas SHBA, përmes ambasadores Yuri Kim, e cila prej ditësh ka ‘zbarkuar’ në terren duke takuar përfaqësuesit politikë, sot kanë nxitur palët që të përmbyllin në kohë Reformën Zgjedhore, në të mirë të Shqipërisë dhe të aspiratave të saj për integrim edhe BE dhe OSBE.

Komisioneri për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi njoftoi sot përmes rrjeteve sociale se ka diskutuar me kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha lidhur me përmbylljen e Reformës Zgjedhore, si një ndër kriteret e integrimit.

“Fola sot me Lulzim Bashën duke mirëpritur fillimin e punës ndërpartiake për Reformën Zgjedhore në Këshillin Politik. Thelbësore për Shqipërinë dhe rrugën e saj drejt BE është që kjo reformë të përmbyllet pa vonesë të mëtejshme, në një linjë më marrëveshjen e arritur në Mars”, shkruan Varhelyi.

Pas tij, reagoi edhe vetë Basha, duke siguruar përpjekjet e Partisë Demokratike për të kontribuar për reformën zgjedhore.

“Bisedë shumë e frytshme me Komisionerin për Zgjerimin, Oliver Varhelyi. E falënderova për mbështetjen e tij dhe theksova përpjekjet e Partisë Demokratike për të kontribuar për reformën zgjedhore. Nënvizova se vullneti politik është vendimtar si për ta përfunduar reformën, edhe për të garantuar zgjedhje demokratike, të lira nga shitblerja e votës dhe nga ndikimi i krimit të organizuar”, shkruan Basha në twitter.

Edhe kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Bernd Borchardt ka kërkuar nga palët politike që përmbushin reformën Zgjedhore deri në 31 maj, afat që është përcaktuar nga vetë palët.

“Unë i nxit të gjitha partitë në Këshillin Politik për Reformën Zgjedhore të vijojnë të ecin në rrugën e gjetjes së kompromiseve konstruktive dhe ta finalizojnë reformën zgjedhore, në të mirë të Shqipërisë dhe të aspiratave të saj për integrim.

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe ODIHR-i do të vijojnë të ofrojnë mbështetje për përmbylljen e kësaj reforme të rëndësishme sa më shpejt, idealisht brenda 31 majit, sikurse janë zotuar partitë politike”, thekson ndër të tjera kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.

Më herët, ambasadorja e SHBA, Yuri Kim pas thirrjeve të vazhdueshme në rrjetet sociale, takoi kreun e PD, Lulzim Basha ku theksoi se diskutimi ishte fokusuar tek e ardhmja, dhe jo tek e shkuara.

Po ashtu ajo qartësoi se afati 31 maj për miratimin e reformës zgjedhore nuk është afat i vendosur nga SHBA, por nga vetë politikanët shqiptarë.

Yuri Kim ‘zbarkon’ në terren

Ditë intensive takimesh është kjo e sotmja për ambasadoren amerikane. Ajo ka takuar paradite kreun e Kuvendit Gramoz Ruçi në Kryesinë e Kuvendit.

Në fokus të diskutimit kanë patur ecurinë e reformës zgjedhore, të reformës në drejtësi dhe të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.

Po ashtu, pritet që Kim të zhvillojë takim një e nga një sot para mbledhjes së Këshillit Politik në orën 17.00 edhe me 4 përfaqësuesit e saj, Damian Gjiknuri, Rudina Hajdari, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili.