Shtyhet mbledhja e Këshillit Politik/ Çfarë po ndodh me ‘Zgjedhoren’? A mundet që një dështim i negociatave, të jetë FUNDI i Reformës?

31 Maji është afati i fundit, duke përmbyllur kështu kohën e vënë në dispozicion të mazhorancës e opozitës në arritjen e një kompromisi për Reformën Zgjedhore. Tre çështjet më të nxehta në të cilat palët nuk bien dakord për mënyrën se si duhet të veprohet janë ndryshimi i sistemit, identifikimi biometrik dhe depolitizimi i administratës zgjedhore.

Teksa deri më tani është rënë dakord për çështjen e rifinancimit të partive, kuotave gjinore, shkurtimit të periudhës se kur do të zhvillohen zgjedhjet, rolin e policisë dhe që SPAK të hetojë krimet zgjedhore.

Pak minuta më parë bashkëkryetari i Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri, kërkoi shtyrjen me dy orë, deri në 19:00, të mbledhjes së Këshillit Politik dhe grupit të ekspertëve. Vendim ky, i cili u mor me qëllim që t’ju jepet kohë palëve për arritjen e një konsensusi, ndërsa vijon komunikimi intensiv dhe negociatat midis palëve.

Por çfarë ndodh nëse palët nuk arrijnë dot në një marrëveshje? A do të thotë kjo FUNDI për Reformën Zgjedhore?

Përgjigja është “JO”. Edhe nëse sot nuk arrihet konsensusi në Këshillin Politik kjo nuk do të thotë se Reforma Zgjedhore dështon. Afati i vërtetë i përmbylljes së Kodit të Ri Zgjedhor, i përmendur më herët edhe nga kreu i grupit socialist Taulant Balla si datë e miratimit të ndryshimeve në Kuvend, është 30 qershori.  Ndërkaq, nga 1 korriku vijohet me implementimin e tyre.

SHBA-BE kanë këmbëngulur që PD-PD/LSI dhe opozita e re ta mbyllin këtë reformë brenda afatit që e përcaktuan vetë, edhe pse duket e vështirë. Sot pritet që palët të arrijnë në një konsensus, por në rast dështimi të tratativave, mazhoranca nuk ka përjashtuar mundësitë që ta votojë dhe miratojë atë vetë.