Flash News

KRYESORE

Shtyrja e pagesave të kredive, BSH: Deri në 31 maj. Kontaktoni me bankat për informacion

Shtyrja e pagesave të kredive, BSH: Deri në 31 maj. Kontaktoni me

Nisur nga masat e marra nga qeveria për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, si dhe lajmërimit të bërë nga kreu i Bankës së Shqipërisë, ky institucion në datën 12 mars në mbledhjen e Këshillit Mbikëqyrës ka miratuar një dispozitë të përkohshme që parashikon riskedulimin e kësteve të kredive.

“Në këtë mënyrë, do të jetë e mundur që bankat dhe institucionet e tjera financiare të sipërpërmendura të akomodojnë nevojat e klientëve për një riskedulim të kësteve të kredisë, duke mos i ngarkuar ata me penalitete apo me përkeqësim të statusit të kredimarrësit, duke qenë se mospagimi i kredisë ka ardhur si pasojë e kushteve të vështira të këtyre ditëve jashtë kontrollit të tyre.

Masat për riskedulimin e kësteve të kredisë hyjnë në fuqi në datën 13 mars 2020 dhe zgjasin deri në datën 31 maj 2020. Ato parashikojnë që, gjatë kësaj periudhe, ata kredimarrës individë dhe biznese, gjendja financiare e të cilëve përkeqësohet nga situata aktuale, mund të përfitojnë një shtyrje, deri në 3-muaj, të pagesave të kësteve të kredive të tyre, të marra nga institucionet financiare të licencuara nga Banka e Shqipërisë: banka, jobanka dhe shoqëri kursim-krediti. Në këtë pikë, theksojmë se ky është nje proces që bën të mundur vetëm riskedulimin e detyrimeve qe këta kredimarrës kanë, por jo falje të tyre”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Bankës së Shqipërisë.

Më tej, BSH thotë se qytetarët apo bizneset që janë kredimarrës, duhet të kontaktojnë me bankat për të përfituar nga kjo lehtësi.

Për të bërë të mundur këtë nevojitet që, të gjithë ata kredimarrës, biznese dhe individë, të cilët preken ekonomikisht dhe financiarisht nga kjo situatë, dhe që dëshirojnë të përfitojnë nga kjo lehtësi e ofruar, të kontaktojnë me institucionin financiar (bankë, jobankë, shoqëri kursim-krediti) me të cilin kanë marrëdhënien e kreditimit dhe të informojnë këta të fundit mbi këtë kërkesë.

Më pas, do të jetë institucioni financiar (banka, jobanka, shoqëria e kursim-kredititi) i cili, në bashkëpunim me kredimarrësin, do të vlerësojë kërkesën dhe, bazuar në specifikat e rastit, do të ofrojë edhe zgjidhjen përkatëse. Ndërkohë, kredimarrësit, aftësia paguese e të cilëve nuk preket apo dëmtohet nga kjo situatë duhet të vijojnë normalisht shlyerjen e detyrimeve të tyre me këto institucione”, thuhet ndër të tjera.

Të fundit