Shullazi frymëzohet nga Rama, u dërgon letra institucioneve të vetingut dhe ankohet për gjyqtaren

Një nga personazhet më të njohura të botës së krimit në vend, Emiliano Shullazit ka gjetur frymëzim nga kryeministri i vendit, Edi Rama. Grupi i Shullazit i dërgoi sot një letër Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, të dyja këto institucione të vetingut, ku i kërkon që të shkarkojnë gjyqtaren, Saida Dollani.

Blerim Shullazi, Emiliano Shullazi, Gilmando Dani, Endrit Zela pretendojnë se Gjyqtarja e Krimeve të Rënda ka shkelur në mënyrë flagrante të drejtën themelore të mbrojtjes nga një avokat.

“Me veprimet e saj insistuese përtej arsyes dhe kërkesës së ligjit, gjyqtarja ka krijuar dyshime thelbësore se motivimi i saj nuk është thjeshtë kryerja e detyrës, por marrja e një pozicioni “heroiko-stoik”, duke synuar të jetë me çdo kusht gjyqtarë në këtë çështje, ku të pandehurit gjerësisht dhe në cenim të parimit të prezumimit të pafajësisë janë stigmatizuar tashmë si element me ngarkesë të fortë kriminale.

Mesa duket gjyqtarja në fjalë, në një kohë kur është në pritje të përfshihet në procedurat e vetingut, synon të marrë “merita” shtesë, apo të kompensojë mangësi të tjera, duke marrë flamurin e deklarimit fajtor dhe dënimit përfundimtar të të pandehurve në këtë çështje. Çka na krijon dyshime serioze se ajo jo vetëm ka paragjykuar çështjen, por e ka paragjykuar atë në kurriz të të pandehurve e të drejtave të tyre për një proces të drejtë dhe të rregullt ligjit”, shkruhet në letrën e firmosur nga ata.