Shullazi/ Ngërçi me gjyqtarët, KLGJ propozon ndryshime ligjore

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka propozuar ndryshime ligjore me qëllim zgjidhjen e ngërçit ligjor të krijuar prej kohësh sa i takon çështjes së Emiljano Shullazit.

Mungesa e gjyqtarëve ka shkaktuar zvarritjen e seancave gjyqësore, duke bërë që si Shullazi ashtu edhe emra të tjerë të mund të lënë qelitë.

Siç raporton ‘News 24’ , KLGJ i është drejtuar me një shkresë zyrtare Ministrisë së Drejtësisë, ku i propozon ndryshime ligjore, që mund të çojnë në zgjidhjen e ngërçit me gjyqtarët.

“Aktualisht, numri i përgjithshëm i gjyqtarëve në detyrë në gjykatat e Apelit është 63, ndërsa në janar 2020, ky numër do të jetë 61, pasi Këshilli do të duhet të deklarojë mbarimin e statusit të magjistratit për dy gjyqtarë, të cilët në dhjetor 2019 kanë dhënë dorëheqjen nga detyra. Pra, gjatë periudhës së zbatimit të procesit të rivlerësimit kalimtar në gjykatat e apelit janë krijuar edhe 38 pozicione të lira, që bashkë me 3 pozicionet që kanë qenë të lirë në momentin e fillimit të procesit, në total bëjnë 41 pozicione të lira”, thuhet ndër të tjera në propozimin e KLGJ.

Ngërçi është krijuar faktin se një pjesë e gjyqtarëve nuk e kanë kaluar vettingun, disa janë dorëhequr dhe të tjerëve u ka mbaruar mandati.