Shumë pak tifozë në Elbasan, Duka: Këta vijnë për të parë Mbappe e Ronaldo

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, para pak minutash shprehu keqardhjen e tij për mbështetjen e paktë nga tifozët e kombëtares shqiptare. Në orën 20:45 do të luajmë me Andorrën në Elbasan, aty ku pritej më shumë mbështetje, por nuk ka rezultuar kështu.

“Tifozët kanë harruar se kemi një ndeshje shumë të rëndësishme. Nuk ka ndeshje të lehta, sepse të gjitha ekipet luajnë mirë. Këto janë kundërshtarët realë të Shqipërisë si Moldavia apo Andorra. Do të bëja gjithçka që stadiumi të jetë plot dhe kam bërë gjithçka. Nuk e di çfarë mund të bëhet”, – u shpreh numri 1 i futbollit shqiptar.

“Duhet mbështetur nëse nuk ka punë më të rëndësishme. Komoditeti në Elbasan është fantastik, por fatkeqësisht tifozeria jonë vjen më shumë për kundërshtarin, sesa për djemtë tanë. Vijnë për të parë yje si Mbappe apo Ronaldo. Tifozët e vërtetë vijnë për të parë kombëtaren, jo të huajt”, – shtoi Duka.