All - Scripts - 4
All - Scripts - 5

Flash News

Desktop - General - 1

KRYESORE

Shumica s’duhet të provokojë në Kavajë

Shumica s’duhet të provokojë në Kavajë
All - Paragraf - 1

Vladimir Karaj

All - Paragraf - 3

Forcat politike nuk mund të injorojnë arsyen pse shkohet në zgjedhje në Kavajë. Dekriminalizimin. Nëse zbatimi i ligjit për të pastruar politikën i shtyu palët drejt zgjedhjeve të parakohshme, krijimi i hapësirave qoftë edhe ligjore për t’iu dhënë atyre pushtet përmes kandidimit të familjarëve është së paku një provokim dhe do ishte dështim i përpjekjes së deritanishme.

Ligji nuk do ndalonte dhe as ka mundësi të bllokojë kandidimin e dikujt që ka lidhje gjaku apo lidhje familjare me një prej të akuzuarve apo dikë që preket nga dekriminalizimi. Madje edhe “moralisht” nëse çështja shkon në këtë rrafsh, nuk mund të kërkohet që për shkak të lidhjeve familjare dikujt t’i ndalohet kandidimi apo përfshirja në politikë.

Por përgjegjësitë në politikë nuk janë individuale, sepse as angazhimi nuk është vetëm individual. Kjo është pse politikanët paguajnë me vota edhe për skandalet apo edhe imazhin publik të të afërmve të tyre. Sigurisht në Shqipëri trau që duhej të pengonte hyrjen në politikë të personave me të kaluar të errët është i rrëzuar. Politika shqiptare e ka normalizuar dhe madje e ka bërë normë mosmbajtjen e përgjegjësisë. Palët jo vetëm që notojnë lirshëm në turbullirën që kanë krijuar, por as nuk përpiqen ta fshehin dhe as turpërohen prej saj.

Sforcimi për të vënë në jetë ligjin për dekriminalizimin. Fakti që të dyja palët janë përpjekur të mbrojnë të prekurit prej tij sipas krahëve, tregon se forcat politike nuk kanë as në këtë moment shtrëngese ligjore kurajo vetëpastrimi.

Megjithatë ligji për dekriminalizimin është duke funksionuar. Funksionon edhe pse është një kërkesë etike që nuk duhej të shtrohej në këto nivele të politikës, ku skrupuloziteti dhe e shkuara që hetohet në detaje janë faktorë që mund të rrënonin karriera pa qenë nevoja për ligje.

Një numër deputetësh, disa kryetarë bashkish janë larguar. Disa të tjerë janë në kërkim të shpëtimeve procedurale për mandatet e tyre.

Ligji sidoqoftë pritej të kishte efektin më të madh në kandidimet e reja. Ai duhej të rikthente besimin të paktën te kandidaturat e vëna në lista edhe pse nuk mund të ndalojë angazhimin në fushatë apo afrimin politik të personave me probleme.

Por me gjasë mund të mos ia dalë as kësaj, madje duke filluar prej zgjedhjeve në Kavajë. Plani për të zbardhur listat nga personat me të shkuar kriminale dhe për t’i nxjerrë ata nga politika, mund të sabotohet në një përpjekje që synon t’i mbajë ata në politikë duke hyrë nga dritarja.

Opozita ka akuzuar së fundmi se kandidimi, i bashkëshortes së kryesocialistit të Kavajës (një ndër 6 kandidaturat e mundshme), të cilin ajo e ka denoncuar prej 2014 për një të shkuar të dyshimtë, është sipas saj një përpjekje e ngjashme për të nxjerrë jashtë loje ligjin. Duhet thënë akuzat e opozitës kanë shkuar deri tani pa përgjigje dhe mbeten akuza të njërës palë për tjetrën.

Teknikisht po ashtu askush nuk mund ta pengojë në këtë rast apo në raste të ngjashme kandidimin e këtyre personave. Praktikisht kjo do e zeronte gjithë betejën për dekriminalizimin dhe do na kthente në pikën zero të debatit edhe pse tani personat me të shkuar problematike e fitojnë pushtetin përmes të tretëve. PS nuk do duhej ta bënte diçka të tillë në Kavajë, jo sa kohë pretendon se opozita nuk ka të drejtë të qëndrojë në çadër dhe se pretendimet e saj janë të rreme. / MAPO

Të fundit