Flash News

OP-ED

Si do të sillen fuqitë e mëdha ndaj Kinës në periudhën post-virus

Si do të sillen fuqitë e mëdha ndaj Kinës në

David Lekaj/ Jutarnji List

Ekonomia kineze nuk mund të vihet në funksionim derisa partnerët kryesorë të saj, SHBA dhe BE, ende luftojnë kundër pandemisë. Ndërkohë gjermanët kanë bërë publike faturën e detajuar adresuar Kinës në shumën 149 miliard dollarë si dëmshpërblim nga koronavirusi, ndërsa nga burime të sigurta të Kongresit amerikan mund të dëgjohet se ka mendime që për llogari të dëmshpërblimit të asgjësohen rreth tre bilion dollarë të borxhit amerikan që Pekini i mban në thesarin e tij.

Raport i ndryshëm i shteteve të mëdha dhe të vogla ndaj Kinës

Në analizat dhe idetë për të ardhmen e marrëdhënieve ekonomike të Kinës dhe Botës, më së shpeshti përdoret kryesisht axhenda që Kina ka projektuar para shpërthimit të pandemisë në Vuhan (Rruga e re e mëndafshit, investime në uzina të teknologjisë së lartë dhe në infrastrukturë në SHBA dhe në BE). Këto aktivitete jo vetëm që do të resetohen- në mënyrë që pas pandemisë të mos vazhdohet me të vjetrën- por edhe në thelb do të duken ndryshe. Pyetja bazë që shtrohet është sesi do të sillen fuqitë e mëdha ndaj Kinës në periudhën post-virus.

SHBA, BE dhe vendet në “robëri kreditore” pas pandemisë

Gjasat janë që shtete të ndryshme do të sillen në mënyra të ndryshme ndaj Kinës duke patur parasysh pasojat e ekonomisë që vjen më pas. Gur themeltar është fakti se Pekini i kundërvihet çfarëdolloj forme hetimi të pavarur ndërkombëtar për shkakun e pandemisë. Krahas kësaj, Kina ua ka ndaluar shkencëtarëve të saj të publikojnë kërkimet mbi prejardhjen e koronavirusit, gjë që thellon akoma më shumë dyshimet në bashkësinë ndërkombëtare.

Për këtë, disa shtete do të bëjnë akuza ndërkombëtare kundwr Kinës për dëmshpërblimin e dëmit të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit. Deri tani për këtë kanë lajmëruar Australia dhe SHBA-të, ndërsa në Kongresin amerikan dëgjohen mendime që të asgjësohen rreth tre bilionë të borxhit amerikan në bono thesari që Pekni i mban në thesarin e tij. Shteti i parë amerikan që do të fillojë procedurën e akuzës është Misuri, dhe akuza përfshin jo vetëm qeverinë kineze, por edhe Partinë Komuniste të Kinës (PKK), e cila si entitet i veçantë nuk është e mbrojtur nga “imuniteti i pavarësisë” që mbron shtetet nga procedurat gjyqësore.

Grupimin e dytë e përbëjnë shtetet që janë në njëfarë “robërie kreditore” nga ana e Kinës. Këto janë kryesisht vendet e Afrikës dhe të Azisë, plus Venezuela dhe Ekuadori në kontinentin amerikan. Ato edhe deri tani nuk kanë qenë në gjendje të kthejnë borxhin ndaj Kinës, ndërsa pas krizës së shkaktuar nga koronavirusi, do të jenë të paralizuar ekonomikisht. Ky grupim do të mbështetet te SHBA në mënyrë që me ndihmën e FMN-së të shpëtojnë nga presioni i Kinës që t’ua shtyjë afatin e pagesës së borxhit. Nga vendet europiane në këtë grupim të rrezikshëm bën pjesë Serbia me lartësinë e borxhit pothuajse dy miliard dollarë. Kreditë që ka marrë Serbia janë tejet më të pafavorshme sesa ato të borxheve te kreditorët e vendeve Perëndimore, gjë që do të pasqyrohet negativisht në periudhën e krizës ekonomike që është duke ardhur.

Grupimin e tretë e përbëjnë shtetet e BE-së që janë njëkohësisht edhe partneri më i madh tregtar i Kinës. Më e pakta që Komisioni Europian do të kërkojë nga Kina është që të bëjë lëvizje konkrete në drejtim i liberalizimit të tregut të saj, gjë që Kina eviton ta bëjë prej disa vitesh. Por, paketa e lëvizjeve të vërteta vjen pas rotacionit (Kryesimi gjerman i BE-së. Shën. i përkth.) në fillim të muajit qershor. Disa vende po ndërmarrin hapa konkretë, si puna e Suedisë, e cila ka mbyllur të gjithë Institutet Konfuci në mbarë vendin në mënyrë që të ndalojë përhapjen e propagandës së Partisë komuniste kineze.

Konflikti i doktrinave Xi Jin ping vs. Ten Hsiao ping

Dy gjëra nuk janë mirë në Kinë, ndër të parët që e paralajmëroi këtë është një prej njerëzve më me ndikim në Kinë, Teng Pufang, djali më i madh i Ten Hsiao pingut, arkitektit të Kinës moderne. Ai, para më pak se dy vitesh, në një panel dërgoi një mesazh domethënës për kreun e PK të Kinës, duke thënë: “Duhet të synojmë të vërtetën duke u nisur nga faktet. Gëja më me rëndësi në këtë fazë të zhvillimit është zgjidhja e drejtë e problemeve tona në Kinë. Kina duhet ta dijë ku e ka vendin”. Kjo, në nomenklaturën sunduese u interpretua si kritikë e ashpër ndaj politikës së jashtme të Xi Jin-pingut.

Ndërkohë, qëllimet ambicioze të politikës së jashtme të Xi Jin – pingut janë kërcënuar seriozisht. Më së pari, ajo që do të duhej të ishte kurora e karrierës së tij politike- kthimi i Taivanit nën sovranitetin e Kinës- është më larg se kurrë realizimit. Qëllimet e tjera strategjike të Kinës janë nën shenjën e madhe të pikëpyetjes, kësisoj do të jetë interesante të shihet sesi do të zhvillohen ngjarjet në të ardhmen.

Rruga e mëndafshit- një shteg një rrugë (BRI)

Vizioni i Xi Jin pingut është të lidhë Kinën me pjesën tjetër të botës dhe të rrisë kapacitetet në këtë rrugë. BRI është një projekt masiv infrastrukturor që këmbëngul të lidhë më shumë se 60 vende nga Azia deri në Afrikë dhe në Europë në një rrjet të ndërlikuar rrugësh, hekurudhash dhe portesh në mënyrë që të sigurohet fluksi i mallrave dhe të rriten kapacitetet për rritje të papenguar të tregtisë dhe eksporteve kineze në të ardhmen. Megjithatë, më shumë se 40% e eksportit të Kinës e përbën ri-eksporti, ndërsa një pjesë e madhe e prodhimeve kineze është në pronësi të brendeve nga SHBA dhe BE që kanë zhvendosur masivisht prodhimin në Kinë pas hyrjes së saj në Organizatën Tregtare Botërore (WTO) në fund të vitit 2011. Tani shumica e vendeve kanë lajmëruar tërheqjen e prodhimeve strategjike nga Kina pas pandemisë. Komisioni Europian e ka thënë në mënyrë  eksplicite se pandemia tregoi se ka qenë diçka morbide që vendet e BE-së e kanë përqendruar prodhimin e pajisjeve strategjike mjeksore në Kinë. Kompanitë amerikane dhe aziatike po punojnë me shpejtësi për kalimin e prodhimeve në Indi, Vietnam dhe Tailandë. Fizibiliteti i investimeve të ardhshme në Kinë në projektin “Rrugë dhe shteg” është pak a shumë në pikëpyetje, dhe ky deri tani është investim më shumë se i rrezikshëm.

“Made in China 2025”

Programi tjetër kyç i Xi Jin pingut është “Made in China 2025” me të cilin Kina synon të bëhet lider botëror në teknologjitë kryesore. Pekini ka filluar të blejë kompanitë teknologjike jashtë Kinës duke përfshirë  “know-how-et” në mbarë botën. Një prej shembujve të tillë është investimi kinez në kompaninë Rimac automobili. Në shumë shtete kjo përjetohet prej vitesh si kërcënim i mëtejshëm për industrinë europiane. Me shfaqjen e pandemisë, Komisioni Europian i ka paralajëmruar antarët të mbrojnë kompanitë e tyre strategjike dhe për këtë qëllim vendet antare do të kenë në dispozicion një fond të posaçëm që shteteve antare do t’u mundësojë blerjen e aksioneve në kompanitë strategjike në mënyrë që të pengojnë marrjen e industrisë strategjike nga ana e Kinës. Pritet që SHBA dhe shumica e shteteve antare do t’i forcojnë barrierat në bashkëpunimin me kompanitë teknologjike kineze.

“Standardet kineze 2035”

Kina këtë vit duhet të publikojë një plan të ri të titulluar “Standardet  kineze 2025”. Qëllimi i projektit është krijimi i ndikimit në funksionimin e teknologjisë së gjeneratës së re, nga telekomunikacionet e deri te inteligjenca artificiale, sepse Kina dëshiron që në të ardhmen të marrë pjesë në formulimin e standardeve ndërkombëtare. Kompanitë që janë të pranishme në tregun global e kanë të rëndësishme të kenë standardet ndërkombëtare që u përgjigjen nevojave të tyre. Megjithatë, Kina që tani po përballet me akuza në lidhje me implementimine rrjetit 5G, sepse ekziston rreziku që të dhënat e grumbulluara në mënyra të ndryshme të shfrytëzohen nga pushteti kinez. Por,është më shumë se e pritshme që “standardet kineze” të pranohen eventualisht nga  ekonomitë në zhvillim, sepse janë më të lira sesa alternativat perëndimore. Megjithëse ambicjet kineze janë të mëdha, është realisht e pamundur se mund të krijojnë përparësi ndaj SHBA-të dhe BE-në.

Tajvani – shteti në shtet

Qëllimi më i rëndësishëm i Xi Jin pingut ishte kthimi i Tajvanit nën sovranitetin e plotë të RP të Kinës. Tajvani për shumë vite me radhë ka qenë jashtë radarit të bashkësisë ndërkombëtare, megjithëse bashkëpunimi ekonomik i këtij shteti demokratik me pjesën tjetër të botës ka qënë shumë aktiv. Në Tajvan jetojnë 24 milionë kinezë që nuk janë nën administratën e Pekinit, por funksionojnë si një shtet “status quo”- shtet në shtet. Më shfaqjen e pandemisë Taivani luajti një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm që në fillim duke paralajmëruar OBSH-në (WHO) për rrezikun e transmetimit të infeksionit nga njeriu te njeriu- gjë që ishte në kundërshtim me pohimet e Kinës. Madje Kina, nëpërmjet OBSH-së, e bindi bashkësinë ndërkombëtare se virusi nuk përhapet mes njerëzve. Taivani alarmoi tërë botën për rrezikun që po kanosej, ndërsa Kina në të njëjtën kohë këmbëngulte të bllokonte votën e saj në OBSH. Kësisoj Taivani fitoi simpati të veçanta në bashkësinë ndërkombëtare dhe është për t’u pritur se bashkësia ndërkombëtare në të ardhmen të jetë ndjeshëm më e prirur ndaj Taivanit në konfliktin e tij me Kinën. Presidenti amerikan Tramp pikërisht për këtë ka nënshkruar TAIPEI (Iniciativa ndërkombëtare për mbrojtjen dhe përparimin e bashkëpunimit të aleatëve të Taivanit), gjë që për Taivanin do të jetë erë e fortë në favor për ruajtjen e status quo-së në të ardhmen. Qëllimi strategjik i Xi Jin pingut mbi kthimin e Taivanit nën kontrollin e Kinës është tani larg realizimit më shumë se kurrë më parë.

Rusia dhe Irani

Gjatë panedmisë Kina mori një goditje të rëndë nga ana e aleatëve të saj Rusia dhe Irani. Ministria e Shëndetësisë e Iranit akuzoi rëndë Pekinin për “falsifikim të statistikave me numrin e të sëmurëve me Covid-19, gjë me të cilën Kina vuri në rrezik të gjithë vendet e goditura nga kjo sëmundje”. Rusia, aleati kryesor i Kinës, ndërmori masa të ashpra kundër Kinës. Ishte ndër të parat që ndaloi plotësisht hyrjen e kinezëve, madje edhe konsullin rus me të arritur në Pekin e detyruan të karantinohet edhe përkundër kundërshtimeve të fuqishme të Pekinit zyrtar.

Duket se në periudhën post-virus Rusia do të këmbëngulë që të marrë përsëri rolin kryesor në shoqërinë e vendeve “joperëndimore”, gjë që Moska e ka paralajmëruar haptazi. Edhe përkundër krizës që është ende e pranishme, duket se paralelisht po punohet për rishtresëzimin e marrëdhënieve globale në një rikalkulim në të cilin ndikimi i Kinës së Xi Jin pingut është dobësuar ndjeshëm.

Deti kinez i Jugut

Në dhjetëvjeçarin e fundit Kina e ka forcuar ndjeshëm praninë e saj në detin kinez të Jugut i cili është lëndë debati mes Kinës dhe vendeve të ASEAN-it. Vendet fqinjë e akuzojnë Kinën “për shkak të dëshirës së saj për dominim dhe shkelje të së drejtës ndërkombëtare”, ndërsa kryeministri i para disa kohëve maljezian dr. Mahathir në letërkëmbimin me kryeministrin kinez e ka akuzuar Kinën për “veprimtari imperialiste”. Kina në Detin kinez të Jugut është futur në një rreth vicioz të intensifikimit afagjatë të kuadrit së së drejtës ndërkombëtare, dhe me fqinjët e saj këmbëngul në nënshkruajë rregullat për shfrytëzimin e kësaj zone të diskutueshme detare.

Presidenti Xi Jin ping, nga vizionari dhe autori i Rrugës së mëndafshit ndërkombëtare është bërë lideri më i kritikuar i ditëve të sotme. Sikur të ekzistonte opozita në Kinë do të ishte kërkuar dorëheqja e tij prej kohësh dhe nisja e hetimit lidhur me gabimet e partisë në pushtet në fillim të pandemisë. Duke patur parasysh se Kina nuk mekanizma të brendshme demokratike të korrektimit, ndaj Kinës do të bëhet presion gjithnjë e më i madh nga jashtë kur pandemia të qetësohet. Që tani është e dukshme se Kina po bëhet gjithnjë e më nervoze dhe më agresive në reaksionet verbale, sepse është e dukshme diskrepanca e madhe mes introspektimit kinez dhe asaj sesi e shohin shtetet e tjera- që ishin viktimat e mëdha të virusit nga Vuhani. Së shpejti do të fillojnë të evidentohen dëmet ekonomike të cilat që në fillim duken tejet të mëdha.

Në ndryshim nga vendet demokratike, të cilat më së shpeshti i përpunojnë planet duke i’a përshtatur cikleve të zgjedhjeve, Kina ka përpunuar plane dhe strategji për 10, 20 e më shumë vite më përpara. Kjo ka qenë deri tani përparësia e saj strategjike në raport me BE dhe SHBA në planifikimin e arkitekturës globale. Megjihatë, pothuajse të gjithë axhendat që Kina ka pasë projektuar para pandemisë do të vihen nën një pikëpyetje të madhe pas pandemisë. Duket se “virusi kinez” vizionin e Xi Jin pingut e ka shndërruar  në iluzion.

*Përktheu përktheu për Politiko.al: Xhelal Fejza

 

 

Të fundit