Si e ktheu tërmeti krizën politike në humanitare; çfarë mund të bëjë Rama

Alfred Lela

Presidenti Obama, në tetor 2012, la në mes fushatën e rizgjedhjes për në Shtëpinë e Bardhë dhe ndërmori një tur tjetër, në New Jersey, shteti verilindor i goditur nga stuhia Sandy. Sondazhet nuk reflektonin shëndet elektoral për presidentitn e parë afro-amerikan dhe gjasat e kandidatit Republikan për president, Mitt Romney, për ta zëvendësuar në Zyrën Ovale, duke e lënë Obamën me një mandat presidencial, shiheshin si reale.

Në fund, siç dihet, jo çdo fatkeqësi sillet njëlloj me të gjithë. Kështu ndodhi edhe me presidentin Obama përfshirja e të cilit në komunikimin publik të menaxhimit të Sandy-t i hodhi një kamerdare shpëtimi. Në zgjedhjet e nëntorit ai fitoi një mandat të dytë. Jo pak analistë amerikanë ia mveshin rikthimin në sondazhe dhe popullaritet të Obamës stuhisë që goditi New Jersey-n.

A mund të thuhet se tërmeti i 26 nëntorit i ka dhënë edhe kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama një seancë ‘frymëmarrjeje artificiale’, e ka shpëtuar atë nga menaxhimi i skandaleve dhe krizave qeveritare, duke e futur në menaxhimin e një krize humanitare?

Çdo analizë partizane do ta mohonte këtë, por duke kaluar mbi trasetë e disa fakteve mund të pohohet se z. Rama e ka marrë, ashtu si Presidenti amerikan, një kamerdare shpëtimi. Dalja e tij në bregun tjetër të një krize të stërgjatur politike do të varet shumë nga ‘noti’ i tij, nga lëvizjet dhe moslëvizjet, nga menaxhimi që do t’i bëjë krizës humanitare.

E sigurt është se kriza humanitare mund ta ndihmojë, potencialisht, Ramën të shpëtojë nga kriza qeveritare. E sigurt është gjithashtu se ‘armëpushimi’ me opozitën do të skadojë së shpejti dhe trajtat e padurimit që selia blu dhe ajo e kuqe (LSI) t’i kthehen bankës së akuzueve kanë filluar të shfaqen ndërkohë.

Suksesi apo dështmi i Ramës në menaxhimin e krizës humanitare nuk kushtëzohet dhe aq nga opozita dhe sjellja e saj, megjithatë. E mbetur pa asnjë pushtet, pa akses në pushtet lokal, përveç Shkodrës, pa deputetët që mund t’a përdornin Parlamentin si aks të fjalës dhe të demonstrimit të fuqisë, opozitës i duhet të jetë megjithë mend kreative, dhe Ramës megjithë mend budalla, për të mundësuar një cikël të ri krize ku përfshihet humanitarja me politiken.

Nëse nuk varet te opozita, suksesi apo dëshitmi i Ramës e ka jetën te donatorët e huaj. Macron-i ka folur për një konferencë donatorësh dhe Erdogan u ka bërë thirrje ‘fesë’ dhe bujarisë së vendeve të pasura të Konferencës Islamike, por deri më tani modestia duket se vjen pas solidaritetit. Fjalët kanë qenë të ngrohta, por llogarive bankare ende nuk u është ngrohur asnjë damar.

Me një donacion ndërkombëtar, le të themi të masës M ose L, kryeministri mund të bëjë, teorikisht gjëra të pabesueshme. Ai mund të vihet në krye të procesit të rindërtimit apo rimëkëmbjes, i cili i shoqëruar me makinerinë propagandistike (të vetmen gjë funksionale që zotëron aktualisht), mund t’ia rindezë yllin politik. Donacionet e huaja nuk duhen marrë vetëm si fakte monetare. Një vlerë të shtuar do të ketë për Ramën edhe fakti se ato para mund të ri-interpretohen si mbështetje për popullin shqiptar, por edhe për të si kryeministër.

Çeku i famshëm i bardhë i të ndjerit Gramoz Pashko e pat ngazëllyer imagjinatën e shumë shqiptarëve dhe nuk mund të mohohet shtysa që kjo imagjinare i dha dorës votuese më 22 mars 1992, kur PD fitoi dërrmueshëm në zgjedhje. Nëse edhe Rama fillon e ndërton imagjinaren e një ‘çeku të bardhë’, por ndryshe nga Pashko fillon edhe ta disbursojë atë, mund të thuhet se ia ka hedhur paq.

Jo vetëm kaq: një skenar i tillë mund ta çojë shefin e qeverisë drejt një fushate për mandatin e tretë me një makinë elektorale, në vend të timonit që kërkoi për mandatin e dytë dhe që e çoi te tepsia, babëzinë mbi të cilën ua njihte vetëm kundërshtareve politikë.

Tërmeti mund të ketë zënë shumë vetë poshtë, por Ramën mund ta ketë shpëtuar.