Flash News
Grupi parlamentar i PD dorëzon në Kuvend propozimin: Pensioni të rritet në 300 euro
Vendimi për çështjen e vulës, Bardhi: Gjykata e Lartë t’i japë fund absurdit, PD i përket anëtarëve të saj
Nasip Naço del nga SPAK: U pyeta për çështjen ÇEZ-DIA, kam folur me letra, jo me heshtje
Shtyhet sërish seanca për Berishën, shkak mungesa e prokurorëve
Investimi në Sazan/ Rama pyetet pse nuk shpall tender kombëtar: Do shqyrtojmë aplikimin
Alfred Lela
Ngjan se, shqiptarët, përfshi këtu qeverinë, opozitën, qytetarët, mediat, po bëjnë më të mirën e mundur në një situatë e cila është likuide dhe ndryshon nga çasti në çast duke, patur parasysh edhe kërcënimin 'e freskët' të tërmeteve që nuk e kanë ndalur goditjen e brigjeve shqiptare, që prej mesnatës së të martës.
Po çfarë ka përtej këtij solidariteti, ngashnjimi, dëshire për ndihmë, që e bën të gjithë atë që po ndodh, mu në sytë dhe nën këmbët tona, të pagjasë, të ikshme, një ndjesi konkretësia e së cilës nuk ta mbush mendjen. Është përfundimi se, ne nuk jemi gati: për jetën as për vdekjen. Nuk jemi gati prej një mungese serioziteti që ngjan thuajse gjenetike.
Një shenjë të parë që morëm në shtator, me një tërmet pak më të lehtë se i fundit, nuk e vlerësuam. E harruam shpejt. Nuk pati asnjë Komision shtetëror me pjesëmarrjen e kompanive të sigurimeve, të inxhinjerëve, arkitektëve, sizmiologëve, e të tjerë ekspertë relevantë, që të mblidhej për të hartuar një hartë të pikave të nxehta, jo vetëm të ekspozimeve sizmike, por edhe të brishtësisë së ndërtimeve. Nuk është rastësi, për shembull, që ndërtesat e shembura në Thumanë (ku u shënuan humbjet më të shumta) ishin pjesë e një grushti pallatesh pesë katësh, të ndërtuar në kohën e diktaturës, kur fshati i madh i Krujës u kthye në fermë shtetërore dhe iu desh të strehonte specialistë të bujqësisë etj.
Durrësi, gjithashtu, është një zonë e ekspozuar, jo vetëm ndaj lëkundjeve sizmike për shkak të afërsisë me detin, por edhe një qytet famëkeq për ndërtimtarinë e pa kriter e me cilësi të dyshimtë. Këto dobësi nuk u morën parasysh, për shkak të një shkudesjeje të zakonshme shqiptare, që e shtynë pafund përgatitjen për më të keqen, por edhe të të një programi qeveritar adekuat.
Siç nuk jemi gati për ta shmangur apo lehtësuar fatkeqësinë, nuk jemi gati as që solidaritetit t'i japim një kuptim komunitar dhe përbashkësie. Edhe në solidaritet duket se na udheheq parimi i ekspozimit dhe i individualizmit. Si pasojë e kësaj, me qindra nisma për mbledhje fondesh dhe ndihmash, mbinë brenda natës duke e shtuar ndjenjën e çorganizimit që vinte nga terreni. Disa televizione, disa OJF, disa Fondacione, Nisma, individë etj., hapën llogari bankare të cilat i etiketonin si ndihmë nën siglat e tyre përkatëse. Së pari, duke mos bërë dallim mes atij që ofron ndihmën dhe atij që ofron platformën për të. Së dyti, duke zgjuar dyshime për menaxhimin dhe adresimin final të këtyre fondeve.
Cinike kjo, sidomos pak ditë pasi qarkulloi lajmi se një imam i njohur, që mblidhte fonde për shqiptarët e pamundur, ishte bërë pronar i një spitali privat në Tiranë. Ndërkohë që ndjenja e solidariteti është fisnike, abuzimet me raste të tilla 'bamirësish' janë tashmë ciklike.
Ne nuk jemi gati, as edhe për faktin se si publik (apo turmë) krijojmë një konsensus të madh rreth emocionales, një anti-racionale që shprehet në Facebook dhe në forma të tjera të dukjes, aty ku ka lutje, qarje, foto-galeri, ngashnjime, por vullnetarizëm dhe komunitaritet me pikatore. Gazetarët 'e mëdhenj', ata që, kur ka evente si si 'Shqipëria në Europian', 'Pavarësia e Kosovës', etj., ua marrin mikrofonin nga dora gazetarëve veteranë të terrenit, kësaj herë i ndenjën larg post-tërmetit, duke mos e konsideruar zhvillimin më tragjik të Shqipërisë, që pas tërmetit të '79 dhe kaosit të '97, 'ngjarje të madhe'.
Nuk jemi as politikisht gati, sepse qeveria e nisi menaxhimin e krizës me një mbledhje live në Facebook, u vonua në shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, dhe zbriti në terren për të mbledhur duartrokitje njerëzish që dukeshin qartë se nuk ishin prekur nga tërmeti, por ishin aty për 'ideal të partisë'. Sikur t'i kishin kursyer publikut edhe zv/kryeministrin që qante më shumë se merrte vendime apo jepte drejtim, më e qartë do të kishte qenë ecuria e emergjencës kombëtare.
Ne nuk jemi gati sepse, pas pak ditësh, do ta harrojmë këtë tragjedi dhe do të marshojmë të sigurt drejt harresës, aty ku na pret e heshtur përsëritja. E tragjedisë dhe e vetes.