Si po e dëmton lëkurën tuaj përdorimi i alkoolit

Fundjava vjen shpejt dhe dëshira për t’u “zhytur” në shishen e alkoolit është shpesh e parezistueshme! Por, pirja në mënyrë të vazhdueshme e alkoolit, mund të bëjë “kërdinë” me lëkurën tuaj dhe këtë nuk e themi ne, por specialistët e lëkurës dhe somelierët, gjithashtu!

Nga dehidratimi tek ngadalësimi i procesit të riparimit qelizor, alkooli mund të dëmtojë edhe ngjyrën e lëkurës, kanë treguar studimet e fundit. Ndaj, një sasi e moderuar është gjithmonë një zgjedhje e duhur. Serena Poon është nutricioniste dhe thotë se nëse alkooli pihet në çift, kjo mund të jetë një gjetje fantastike për të reduktuar sasinë e pijes.

“Alkooli pa masë, mund të nxjerrë në pah enët e gjakut të lëkurës suaj, njollat e diellit, sytë e fryrë, rrathët e zinj poshtë syve, e plot detaje të tjera që ndoshta ju nuk i kishit vënë re”, thotë Brendan Camp, dermatolog i certifikuar në SHBA. Sigurisht, mënyra më e mirë për të parandaluar efektet negative të pijes në lëkurën tuaj, është që ju të minimizoni sasinë sa më shumë të jetë e mundur.

A është alkooli i keq për lëkurën tuaj?

Alkooli është një diuretik, që do të thotë se rrit prodhimin e urinës së trupit tuaj. “Kjo bën që trupi të shpërndajë ujin e tepërt dhe kripën me një ritëm të rritur”, shpjegon dietologu i regjistruar, Tony Castillo. Me fjalë të tjera, është mjaft dehidratues dhe sjell efekte negative në lëkurë.

Lisa Richards, një dietologe e regjistruar thotë se hidratimi i brendshëm është thelbësor kur konsumoni alkool. “Konsideroni të pini një gotë ujë midis çdo pijeje alkoolike. Ka të ngjarë që të shtoni numrin e herëve që shkoni në tualet”, thotë ajo, por kjo do ta lërë lëkurën tuaj të hidratuar mirë dhe madje mund të lehtësojë dhimbjet e kokës.

Pijet e larta në nivelin e kripës mund të jenë veçanërisht të ashpra në pamjen tuaj sepse ato janë kaq dehidratuese. Estetistja e famshme dhe infermierja dermatologjike, Natalie Aguilar thotë: “Pijet e kripura mund ta lënë lëkurën tonë jashtëzakonisht të fryrë dhe mund të përkeqësojnë skuqjen. Për të luftuar dehidratimin, përpiquni të përfshini një serum hidratues si acidi hialuronik që është një zgjedhje e mirë gjithmonë”.

Përfshini në ritualin e bukurisë suaj një hidratues që përmban një përzierje përbërësish për të rregulluar humbjen e ujit. “Hidratoni lëkurën çdo natë dhe mëngjes pas një nate abuzimi me alkoolin”, thotë Richards. Camp ju këshillon të gjeni një hidratues me “vitaminë B, nikotinamide për të qetësuar lëkurën; acidi hialuronik, një humectant që tërheq molekulat e ujit; dhe qeramidet ose lipidet që gjenden natyrshëm në epidermë që ruajnë funksionin pengues të lëkurës”.