Flash News

KRYESORE

Si po rindërtohet marrëdhënia e fortë Meta-Berisha; janë takuar shtatë herë vetëm në 2018-ën

Si po rindërtohet marrëdhënia e fortë Meta-Berisha;

Sali Berisha dhe Ilir Meta janë duke rindërtuar një marrëdhënie të fortë me njëri-tjetrin që pas largimit të ish-kreut të LSI-së nga koalicioni qeveritar më 1 prill të 2013-ës. Pavarësisht ndarjes, Berisha dhe Meta vijuan të ruajnë marrëdhënie korrekte politike, por hyrja në qeveri e LSI me PS-në e Edi Ramës, ndryshoi për keq situatën.

Ndonëse nuk mori asnjë rol ministri në kabinetin e parë të Ramës, 2013-2017, Ilir Meta nuk mbeti jashtë akuzave të forta politike edhe si kryetar i Kuvendit. Ishte skandali i Tom Doshit, në fillim të 2015-ës, që acaroi klimën e marrëdhënieve Meta-Berisha. Kur ish-kryeministri kërkoi dorëheqjen e Metës si kryeparlamentar, ky i fundit u përgjigj: “E kam dhënë njëherë dorëheqjen për Shkëlzenin.”

Por me afrimin e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017-të, tensioni midis këtyre dy politikanëve filloi të zbutej dhe sot shohim një marrëdhënie krejtësisht tjetër, e ndihmuar kjo nga fakti që Meta është tashme president i Republikës dhe PD me LSI kanë krijuar një ‘front të bashkuar opozitar’ kundër Edi Ramës.

Vetëm në nëntë muajt e 2018-ës, Ilir Meta dhe Sali Berisha kanë qenë të pranishëm së bashku në shtatë aktivitete të ndryshme. E rëndësishme është të thuhet se në të gjitha këto aktivitete, ata kanë qenë të shoqëruar nga persona të tjerë, kryesisht figura me peshë politike. Gjithsesi, takimet e shpeshta tregojnë se midis Metës dhe Berishës është krijuar tashmë një klimë pozitive dhe e qëndrueshme.

Në një kohë kur Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi po përpiqen të ndërtojnë së bashku një aksion të fortë opozitar kundër kryeministrit Rama, Meta dhe Berisha shfaqen ndryshe në publik, kryesisht në aktivitete ku jepen dekorata dhe ku diskutohen çështje me interes kombëtar apo ndërkombëtar.

Takimet Meta-Berisha në 2018-ën:

15 shkurt- Ilir Meta pret në Presidencë Sali Berishën për çështjen e kufirit detar midis Shqipërisë dhe Greqisë. Takimi me Berishën u zhvillua në kuadër të konsultimeve të presidentit Meta me të gjithë ish-presidentët e Shqipërisë.

16 mars- Ilir Meta dhe Sali Berisha marrin pjesë në konferencën e organizuar në Baku nga presidenti i Azerbajxhanit. Të pranishëm në atë konferencë ishin edhe ish-presidentët Bujar Nishani dhe Rexhep Mejdani.

23 prill- Sali Berisha merr pjesë në ceremoninë e dekorimit të senatorit italian, Pier Ferdinando Casini. Dekorata iu dha në Presidencë nga Ilir Meta, ndërkohë që i pranishëm ishte edhe kreu i PD-së, Lulzim Basha.

25 maj- Sali Berisha merr pjesë në ceremoninë e dekorimit të ish-Presidentit të Asamblesë Parlamentare të OSBE, Riçardo Migliori. Dekorata iu dha në Presidencë nga Ilir Meta dhe të pranishëm ishin gjithashtu kreu i PD-së, Lulzim Basha dhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.

15 qershor- Ilir Meta dhe Sali Berisha marrin pjesë në takimin e 23-të ndërkombëtar të Berlinit. Meta ishte folësi kryesor në takim, ndërsa të ftuar ishin Berisha dhe ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu.

19 korrik- Ilir Meta dhe Sali Berisha marrin pjesë në inaugurimin e bustit të Pjetër Arbnorit te Parlamenti. Të pranishëm në ceremoni ishin gjithashtu kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi dhe kreu i PD-së, Lulzim Basha.

11 shtator- Ilir Meta dhe Sali Berisha marrin pjesë në promovimin e botimit të librit të gazetarit shqiptaro-amerikan, Frank Shkreli, të titulluar “Demokracia nuk pret”.

Të fundit