Si rritja e çmimeve po godet familjet shqiptare; shtohen shpenzimet për ujin dhe ilaçet

Shpenzimet e një familjeje shqiptare të përbërë a mesatarisht nga 3,7 persona ishin 73.400 lekë në vitin 2017-të. Sipas INSTAT, vlerësimi i shpenzimeve mesatare mujore për konsum të familjeve në vitin 2017, është 0,4 % më i lartë se në vitin 2016, dhe këtu ka ndikuar rritja e çmimeve.

Shpenzimet e bëra në grupin “Transport” në vitin 2017 kanë pësuar rritjen më të lartë prej 14,9 %, krahasuar me vitin e kaluar, si rezultat i rritjes më të madhe të shpenzimeve për nëngrupin “karburantë dhe lubrifikantë”.

Shpenzimet e bëra në grupin “Shëndet” kanë shënuar rritje prej 14,3 %, krahasuar me vitin 2016, rritje e cila ka ardhur si rezultat i rritjes së shpenzimeve për nëngrupin “medikamente”.

Ndërkohë që janë rritur edhe shpenzimet e shqiptarëve për banesën, ujin dhe energjinë. Të paktën në bashkinë e Tiranës ka patur një rritje të madhe të çmimit të ujit që reflektohet në këto shpenzime.

Edhe në komunikim ka patur rritje të shpenzimeve kjo për shkak se kompanitë telefonike kanë rritur çmimet e paketave.

Ndërkohë që në arsim ka një ulje të shpenzimeve me 10.6%. Opozita denoncoi në fillim të sezonit arsimor se një numër i konsiderueshëm i fëmijëve kanë braktisur shkollat.

Të gjendur në këtë situatë me rritje çmimesh, shqiptarët janë detyruar që të kursehen tek ushqimi dhe veshjet, për të cilat kanë shpenzuar më pak.

Rritja e varfërisë në rrethe thellon pabarazinë në Shqipëri; shifrat tregojnë ku familjet konsumojnë më pak