Flash News

KRYESORE

Siguri shtesë për zyrtarët e vendit; makina, armë dhe masa të reja

Qeveria ‘Rama 2’ ka planifikuar miratimin e 429 vendimeve dhe projektligje gjatë vitit 2018. Përpos të tjerave, gjatë vitit 2018, është planifikuar edhe miratimi i një projektligji dhe 8 projektvendimeve, që synojnë rritjen e masave të sigurisë për personalitetet e larta shtetërore, por edhe zgjerimin e listës me funksionarët e lartë që do të merren nën ruajtje.

Sipas Shqiptarja.com., njëri nga projektvendimet parashikon ngritjen e një instituti të posaçëm, i cili do të merret vetëm me formimin dhe kualifikimin e shërbimit të sigurisë së personaliteteve të larta shtetërore. Ky projektvendim synon përgatitjen profesionale dhe fizike të punonjësve të këtij shërbimi, që do t’u besohet jeta e shtetarëve tanë.

Po ashtu, është planifikuar miratimi i një tjetër projektvendimi për përcaktimin e personaliteteve të tjera që do të mbrohen nga shërbimi i sigurisë së personaliteteve të larta shtetërore. Në listën e personaliteteve që do të ruhen, do të përfshihen edhe krerët e organeve të reja të drejtësisë si kreu i Byrosë Kombëtare të Hetimit, kreu i Prokurorisë së Posaçme etj. Në këtë kuadër, do të shtohen edhe objektet dhe rezidencat që do të sigurohen nga shërbimi i sigurisë së personaliteteve të larta shtetërore.

Një tjetër projektvendim do të përcaktojë armatimin dhe mjetet teknike të posaçme për punonjësit që do të kujdesen për sigurinë e personaliteteve të larta shtetërore. Armët dhe mjetet do të jenë si ata të shërbimeve të vendeve homologe, që do të thotë ndryshim i armëve dhe mjeteve aktuale. Një tjetër projektvendim do të përcaktojë automjetet e posaçme për transportin e personaliteteve të larta shtetërore.

Të fundit