Sindroma e radhës e problemeve tona të thella identitare

Dardan Mustafaj

Dardan Mustafaj

Izolimi i detyrueshëm na dha më në fund kohën e nevojshme për të bërë gjërat që i kemi shtyrë nga viti në vit. Për mua ishte mundësia të gërmoja në arkat, që dergjeshin prej dekadash si nën çatinë e kullës së të parëve në Bajram Curr e deri tek bodrumet e shtëpisë ku banojmë sot. Këto arka përplot me letra të hedhura pa rend i kanë mbijetuar kohës falë vetëdijes për vlerën e shkresës, por edhe stabilitetit relativ që mbizotëroi në Shqipëri pas luftës së parë botërore. Dokumenti më i vjetër që kam gjetur aty mban datën 07.10.1922: është një vërtetim i pagimit të taksave nga stërgjyshi im.

Nga dokumenti në dokument po zbuloja me kënaqësi të madhe nje kontrast. Vërtet mund të ishin njerëz që i jepnin peshë fjalës së dhënë, megjithatë kujdeseshin që për detyrime civile (mes privatësh) të hartonin një shkresë dhe ta nënshkruanin atë përpara dëshmitarësh. Madje këtë praktikë e ndiqnin edhe ata që nuk dinin shkrim e këndim, të cilët nënshkruanin me shenjën e gishtit dhe ja linin stërgjyshit tim ta ruante, në njëfarë mënyre, si noter. Nëpërmjet këtyre dokumenteve zbuloja që Shqiptarët e viteve 1920-1940, të paktën të asaj krahine, ishin për nga shumë aspekte më afër kulturës dhe mentalitetit te europianëve të sotëm se shumë nga bashkatdhetarët e mi të sotëm. Dhe më kryesorja: ata nuk ngjanin fare me portretizimin si të prapambetur e mesjetarë, që buronte nga historia e shkruar dhe e rishkruar sa e sa herë gjatë gjysmëshekullit të fundit.

Në mesin e atyre shkresave, një zarf tërhoqi vëmendjen time. Kontrastonte me letrat e tjera. Ishte palosur me kujdes, nuk përmbante shënime, grisje etj… Ishin “Deklarata” të lëshuara nga partizanë tropojanë, midis tyre dhe një kolonel i kohës, me anë të së cilave ata “shfajësonin” stërgjyshin tim për të kaluarën e tij si xhandar në kohën e mbretërisë. Këta persona dëshmonin se stërgjyshi im kishte pasur “gjithnjë ide përparimtare”, se ishte bërë xhandar “me lejen e shokëve”, me qëllimin për të siguruar një kafshatë bukë si dhe për të “punue nga mbrenda në favor të lëvizjes popullore”. Është e qartë që ato ishin vetëm broçkulla, të cilat nuk i besonin as ata që i kishin shkruar e as ata që i lexonin. Synimi ishte tjetër kund.

Regjimi i Enver Hoxhës ndryshoi të kaluarën, duke i kthyer shqiptarët nga i pari tek i fundit në falsifikatorë të historisë së tyre. Nën këtë “shtet” stërgjyshi im dhe shumë të tjerë u detyruan të rishkruajnë edhe historinë e tyre personale. Kam pyetur veten përse ky burrë malsor, i ditur dhe i respektuar në mbarë krahinën u pajtua me këto gënjeshtra? Shpjegimi del qartë po të shihet në kontekstin e tij. Stërgjyshi im kishte lindur dhe ishte formësuar në një kohë kur liria dhe pavarësia ishin fituar me gjak. Kishte parë të atin e tij të plagosur dhe të mbetur invalid në përpjekje me ushtrinë serbo-malazeze. Kishte parë kullën familjare të digjet me çfarë kish brenda nga po kjo ushtri dhe e kishte rindërtuar me duart e veta. Pas gjithë këtyre sakrificave, të paguash me gënjeshtra, që nuk dëmtonin askënd, ishte thjesht një bashkim me rrymën për të mbijetuar. Pra, si sakrificë dukej hiç gjë.

Gënjeshtra, e ngritur në nivelin e virtytit, depërtoi kështu thellë në ADN-në tonë. Kështu u krijua “njeriu i ri”, i cili e shihte historinë dhe identitetin e tij vetëm si një mjet, që mund ta ndryshonte në çdo kohë, në funksion të nevojave të momentit. Njeriu i ri nuk ka të shkuar, ka vetëm të tashme. Identiteti i tij është përshtatja, futja në kallëpin e shoqërisë, opinionit, modës… Në shtratin e prokustit njeriu i ri ka gjithnjë përmasat e krevatit.

Me fillimin e viteve 1990 ky “njeri i ri” u vu përballë një realiteti të ri ku vlerat, tiparet dhe gënjeshtrat e 40 viteve të fundit duheshin fshirë dhe rishkruar. Dhe, falë plasticitetit të tij, e bëri lehtësisht, pa mëdyshje. Shumë nga komunistët më të bindur bënë atë që për vite kishin dënuar këdo që e tentonte: emigruan tek armiku i tyre i djeshëm SHBA, madje duke u bërë edhe shtetas amerikanë. Të tjerë u bën kapitaliste të egër, të tille që, për para, e mbuluan Shqipërinë me plehrat e botës, me ndërtime në çdo hapësirë të gjelbër, me PPP zhvatëse etj…

Kryeministri, si njeriu më i pushtetshëm sot në Shqipëri, është arketipi i këtij njeriu të ri. Një nga nismat e tij si politikan ishte “kthimi në identitet” të asaj pjese që pikërisht shkatërroi me teatrin. Në opozitë luftoi fuqishëm për ndalimin e importit të mbetjeve, të cilat i lejoi kur erdhi në pushtet. Denoncoi koncesionet dhe PPP, ndërkohë që, në pushtet, dha pa fund të tilla. Me të drejtë denoncoi dhunën policore ndaj Saimir Tahirit në protestë përpara Ministrisë së Brendshme, ndërkohë që policia e tij ndjehet me shpatulla aq të ngrohta, sa del pa numër identifikimi të rrahë njerëz të shtrirë në tokë po përballë Ministrisë së Brendshme. Shefi i Qeverisë e shndërroi Partinë Socialiste në një turmë njerëzish si vetja, të gatshëm për të fshirë të shkuarën për një përfitim të momentit. Socialistët e vitit 2020 nuk janë më ata të vitit 2010, 2000 apo 1991.

Pa pikë turpi degradoi debatin rreth prishjes së Teatrit Kombëtar në diskutime dytësore: na qenka i vjetër, i rrezikshëm, do e ndërtojmë më të mirë, nuk duhet të kemi nostalgji për gërmadha etj… E ndoti debatin publik me këto diskutime, ndërkohë që debati i vërtetë duhej të ishte: a po zhduket identiteti i Tiranës? Teatri Kombëtar ishte pjesë e historisë sonë, ishte një fytyrë e Tiranës, një fytyrë që fëmijët e mi nuk kanë për ta parë kurrë më tashmë pasi po shfaroset përditë nën kazmat e babëzisë ndërtuese të njeriut të ri. Miq të huaj më kërkojnë të shohin Tiranën Otomane apo Tiranën e viteve 1920-1940, por s’kam ku t’i drejtoj. Njeriu i ri mburret me kalanë e Tiranës apo pazarin e ri, ku ka derdhur miliona me tendera, në rastin më të mirë të dyshimtë. Këto lloj ndërtimesh i gjen në çfarëdo qyteti provincial të çfarëdo shteti në BE a gjetkë!

Si plastelinë politike udhëheqësi i partisë më të madhe të majtë në Shqipëri i vetofrohet tërësisht asaj që denoncohet historikisht nga e majta: kapitalizmit, zhdukjes së shtetit në favor të privatit me ato qindra PPP, që ka dhënë në këto vite… Dhe për t’i vënë kapakun e ka kthyer veten në shembull për një brez të tërë të humbur nga këto përplasje identitetesh. Para pak vitesh i pyesja studentët e mi nëse njihnin ndonjë hero të krahinës së tyre ose edhe nëse dinin kush ka qenë njeriu, emrin e të cilit i kanë vënë rrugës, ku ata banonin. Asnjë nuk dinte të përgjigjej. Kur i pyesje se cilët ishin idhujt e tyre, ata përgjigjeshin me emra të huaj. Ndërkohë, që një qëndrestare si Musine Kokalari, guximi i pamposhtur i Vasil Laçit apo trimëria dhe ndjenja e detyrës së Mujo Ulqinakut dhe shume të tjerëve mund të frymëzojnë po aq sa një Nelson Mandela.

Prishja e Teatrit Kombëtar e bën edhe më ulëritës faktin që në asnjë karrige të qeverisë tonë nuk u gjet ndonjë Musine, Vasil apo Mujo, që të mos pajtohej me kthimin e Tiranës në një qytet pa identitet. Qeverisja ishte unanime në fshirjen e së kaluarës për t’i dhënë Tiranës fytyrën e re.

Teatri Kombëtar u fshi nga faqja e Tiranës, njësoj siç u fshi në Kavajë monumenti i artistit Musa Qarri apo në Durrës Fontana e sa e sa raste të tjera më pak të bujshme. E kaluara duhet t’i lërë vend modernitetit alla njeriu i ri, edhe pse në këtë transformim na mbetet mbi peizazhin urban veç “e reja”. Njeriu ka ikur në drejtim të paditur.