Sinjale nga Franca për heqjen e vetos ndaj Shqipërisë, eurokomisioneri: Skeptikët po përpiqem t’i bind me metodologjinë e re

Komisioneri për Zgjerim i BE, Olivér Várhelyi tha se është në bisedime me shtetet anëtare dhe kryesisht ato skeptike për nisjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedonisë së Veriut.

I pyetur nga gazetarët nëse ka marrë sinjale pozitive për heqjen e vetos ndaj Shqipërisë nga Franca, eurokomisioneri tha se po përpiqet t’i bindë me metodologjinë e re.

“Unë do të bisedoj dhe po flas me shtete anëtare dhe po përpiqem ti bind se me metodologjinë e re që do e përdorim dhe besoj se do biem dakord të gjithë për negociatat. Është e rëndësishme që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria të vazhdojnë me reformat”, tha eurokomisioneri i cili po ashtu detajoi më vonë se javën e shkuar ishte në Paris dhe po ashtu është takuar me autoritetet holandeze, si shtete që u shprehën kundër Shqipërisë në tetor.

“I diskutuam shqetësimet e tyre. Unë po bisedoj më të dyja këto shtet që u ndikuan nga samiti i tetorit. Ajo që po bëj është po përpiqem të shoh ecurinë dhe se çfarë do mund të arrihet gjatë kësaj periudhe, Jam shpresëplotë që me qasjen e re që do ribalancoj negociatat për anëtarësim jo vetëm për shtetet aspiruese, por edhe ato ekzistuese, me përparimin që po vazhdon ne do mund ta ndryshojmë klimën politike. Jam shumë shpresëplotë”, tha Várhelyi.