Sistemi elektoral i rekomanduar nga SHBA, flet politologu danez: Tejet i thjeshtë, siguron përfaqësim proporcional për partitë

Danezi Jorgen Erlklit, studiues politik i specializuar në sistemet elektorale dhe administrim, në një interviste për ‘Ilva Now’, ka folur lidhur me mundësinë e implementimit të sistemit zgjedhor që përdoret në vendin e tij në rastin e Shqipërisë.

Erklit thotë se bëhet fjalë për një sistem ku për qindja e votave kthehet në të njëjtën për qindje dhe të vendeve në Parlament. “Nëse fiton 10 % të votave, fiton 10 % të vendeve në Parlament”, thotë ai.

Sipas politologut, Danimarka dhe Shqipëria kanë sistem të ngjashëm rajonal, por me ndryshimin se në vendin e tij zbatohet dhe varianti “vendet plotësuese”.

“Në rast se një parti nuk arrin të fitojë më shumë se minimum i votave që duhet për t’u përfaqësuar në Parlament, për shkak të votave që ata kanë marrë në zgjedhje. Ekzistojnë disa vende plotësuese që mund të përdoren që të gjitha partitë të arrijnë të përfaqësohen. Proporcionaliteti këtu është në përputhje me numrin e votave që ata meritojnë”, thote Erlklit.

Ai thekson se sistemi ka që prej vitit 1920 që zbatohet në Danimarkë dhe ka pasur vetëm një diskutim lidhur me pragun. Studiuesi thotë se në 100 vite nuk ka pasur asnjëherë shumicë dërrmuese. Duke treguar “sekretet” e sistemit danez, z. Erklit tregon se nuk ka koalicione parazgjedhore ndërsa në procesin mund të marrin pjesë dhe individë jashtë partive.

Ndërsa disa e konsiderojnë atë si një sistem tejet kompleks, edhe vetë në Danimarkë, politologu ka dhënë shpjegime se çfarë sistemi përdoret në vendin e tij.

“Në fakt është një sistem tejet i thjeshtë. Ai siguron përfaqësim proporcional për partitë pjesëmarrëse në zgjedhje, në proporcion me votat. Nëse fiton 10% të votave, fiton 10% të vendeve në Parlament, kështu që e parë në këtë mënyrë është një sistem tejet i thjeshtë. Votuesit votojnë për partinë që ata pëlqejnë dhe kjo është e gjitha. Disa situata në prapaskenë mund të jenë më të komplikuara por nuk mendoj se është koha për ta diskutuar këtë në televizion. Gjëja kryesore është se është tejet proporcional dhe funksionon shumë mirë. Një element thelbësor është se edhe ne kemi sistem të ngjashëm rajonal me Shqipërinë por ne kemi të ashtuquajturat “vendet Plotësuese”. Kështu që në rast se një parti nuk arrin të fitojë më shumë se minimum i votave që duhet për t’u përfaqësuar në Parlament, për shkak të votave që ata kanë marrë në zgjedhje. Ekzistojnë disa vende plotësuese që mund të përdoren që të gjitha partitë të arrijnë të përfaqësohen. Proporcionaliteti këtu është në përputhje me numrin e votave që ata meritojnë”, thotë studiuesi danez.

I pyetur nëse mendon se ky është elementi që e bën sistemin të jetë më përfaqësues, duke marrë në konsideratë edhe mënyrën sesi votuesit danez zgjedhin, Jorgen Erklit thotë se “Po, sepse ne të gjithë jemi të vetëdijshëm se nëse votojmë për një parti, shanset që kjo parti të arrijë të përfaqësohet në Parlament është në proporcion me numrin e votave që ajo merr. Ne e dimë që do të ndodhë në atë mënyrë. Dhe deri tani njerëzit janë tejet të lumtur me sistemin elektoral që kemi dhe nuk asnjë diskutim në lidhje me drejtësinë e këtij sistemi. Unë mendoj se një gjë e tillë është tejet e rëndësishme. Të gjitha partitë politike në vend e kanë pranuar sistemin.

Është zbatuar në vend prej 100 vitesh, i propozuar fillimisht në 1920 dhe tani jemi në 2020, dhe i vetmi diskutim i vogël që është bërë në lidhje me të është për pragun elektoral. Sepse edhe ne kemi një prag elektoral si në Shqipëri, vetëm se tek ne është 2 %. Deri tani votuesit janë të lumtur, partitë janë të lumtura dhe nuk diskutohen të ndërmerret asnjë ndryshim sa i përket sistemit elektoral. Në fakt është pak e çuditshme ta shpjegoj këtë jashtë, sepse ne jemi të lumtur me të këtu. Nuk do të them se duhet ta përdorni me patjetër, por që ka element  në të që mund të jenë tejet të përdorshëm, gjë që shpjegon faktin se përse njerëzit janë shumë të kënaqur me të”.

Çfarë lloj qeverie drejton Danimarkën tani, koalicion mes partive? Çfarë kërkon ky sistem nga partitë politike, të ecin dhe të punojnë bashkë?, e pyet Tare.

“Po, sepse nuk ka pasur një parti që ka arritur të fitojë shumicën e votave, përgjatë këtyre 100 viteve. Nuk ka pasur asnjëherë maxhorancë me shumicë absolute, sepse ka shumë parti, për momentin 10 parti janë të përfaqësuara në Parlament. Ajo çfarë ne kemi tani, është një qeveri social-demokrate, e cila posedon pak më pak se 30 % e votave në Parlament, ata punojnë së bashku në një koalicion të gjerë me disa nga partitë e tjera. Por dua të theksoj se qeveri të tilla funksionojnë shumë mirë dhe nuk mendoj se kemi nevojë për koalicion mazhoritar. Mendoj se Danimarkë është e veçantë në këtë mënyrë, ne kemi një sistem që funksionon mirë me qeveri të minorancës dhe jo me koalicione”, thotë ai, duke shtuar se ky sistem ndihmon partitë e vogla.

“E di që në Shqipëri një parti për t’u përfaqësuar në Parlament duhet  të konkurrojë në të gjitha rajonet dhe kjo gjë nuk është e nevojshme në Danimarkë. Mund të kandidosh vetën në një rajon, në të cilin ke mbështetjen e elektoratit aty. Ne madje lejojmë edhe personat të konkurrojnë individualisht, të marrin pjesë në zgjedhje por ndodh rrallëherë të përzgjidhen. Pra është një sistem mjaft i hapur dhe gjithëpërfshirës, për të gjitha partitë. Por ka edhe një ndryshim tjetër në raport me Shqipërinë, ne nuk lejojmë që koalicionet të konkurrojnë së bashku, vetëm pas zgjedhjeve partitë mund të formojnë koalicione dhe qeverinë nëse ata duan. Por ata nuk e kanë të domosdoshme të krijojnë koalicione sepse mund të përfaqësohen vetëm dhe mendoj se ky është një ndryshim tejet thelbësor”.

A është e mundur që një qeveri minorance të funksionojë në një situatë politike tejet të polarizuar? Nuk e di nëse jeni në dijeni, të situatës politike në Shqipëri, e cila zakonisht është e polarizuar në një nivel tejet të lartë. A mendoni se një qeveri minorance mund të funksionojë në një ambient të tillë?, pyetet nga gazetarja Tare.

“Po nëse të gjitha partitë bien dakord se është zgjedhur në një mënyrë tejet të drejtë. Dhe nëse mund të zgjedhin të krijojnë koalicione, ndonjëherë edhe dy partitë kryesore do të duhet të punojnë së bashku, të formojnë maxhorancën dhe të miratojnë ndryshimet ligjore. Dhe kjo gjë në mendimin tim do të ishte jashtëzakonisht pozitive, që edhe partitë kryesore të punojnë së bashku sepse ashtu duhet. Dhe siç e dini vendet me sisteme proporcionale si Suedia, Norvegjia, Finlanda, Danimarka  ke një klimë politike të qëndrueshme dhe kanë sisteme  të drejta. Pra ka diçka e cila duhet ti shtyjë vendet drejt sistemit proporcional, të cilat mund të ndikojnë në krijimin e qeverive minorance, mund të ndihmojnë në krijimin e një klime politike më të qëndrueshme”, shprehet Jorgen Erklit.