Flash News

OP-ED

Sistemi që i rikthen pushtetin qytetarit

Sistemi që i rikthen pushtetin qytetarit

Dr. Erion Piciri

Disa ditë më parë përfunduan në Kosovë zgjedhjet parlamentare, në një klimë paqësore, me numërim të shpejtë të votave dhe pranim të rezultatit. Kjo i dedikohet padyshim kulturës politike, por edhe sistemit elektoral. Kosova përdor proporcionalin kombëtar, me lista të hapura dhe kjo e ul ndjeshëm agresivitetin lokal, eliminon luftën e gjelave kokë më kokë, bën të mundur ndryshimin me votë, shpërqendrimin e pushtetit dhe respektimin e vullnetit të qytetarëve për çdo parti dhe kandidat. Meqenëse është hapur në Shqipëri një debat mbi sistemin elektoral, vlen të ndalemi më gjatë tek modeli që forcon demokracinë, nxit pjesëmarrjen dhe rikthen besimin tek politika. Për këtë duhet një analizë racionale e aktualitetit, kulturës dhe sistemit, që i jep përparësi mendimit politik mbi interesat për fitim zgjedhjesh dhe pushteti.

(1) Pavlefshmëria e proporcionalit rajonal me lista të mbyllura

Sot në Shqipëri përdoret proporcionali rajonal me lista të mbyllura, një imitim i pjesshëm i sistemimit spanjoll (i përdorur në Spanjë për dhomën e ulët, jo për senatin), që kombinuar me kulturën tonë politike dhe partinë pronë e një individi, ka prodhuar një klasë politike të varur, të heshtur dhe të nënshtruar, me raste bashkëpunëtore të keqqeverisjes, ç'balancimit të pushtetit, të kleptokracisë dhe shkeljes të të drejtave të njeriut.

Me anë të këtij sistemi, mazhoriteti parlamentar është kthyer në një shtojcë të qeverisë, i kapur nga një njëri që u ka në dorë deputetëve karrierën politike. Të varur në kremastarë kryetarësh qëndron edhe fati i atyre në opozitë. Duke njohur qenien arriviste dhe me pak idealiste të politikanit, parashikohet me lehtësi transaksioni midis interesit publik dhe vazhdimësisë të të qenit në lista parlamentare. Kështu listat e mbyllura kanë dëmtuar parlamentarizmin. Vetëm me deputetë listash mund të kaloheshin ligje si i shkatërrimit të Teatrit Kombëtar, koncesionet korruptive, ligjet e grabitjes së pronareve të vërtetë apo daljet en bloc nga parlamenti. Politikanët që respektojnë veten dhe njerëzit nuk vërtiten si marioneta, nuk ka perëndi, jo kryetar a taraf që u imponon shkelje vlerash universale apo absurditete politike.

Të qenit kryetar nuk do të thotë asgjë tjetër veçse një mundësi për t’u kthyer në lider përmes sjelljes, vendimeve dhe rezultateve. Shkurt një njeri në provë, jo zot mbi tokë. Shumë e humbasin këtë rast. E dinë se etiketa është gjithçka. Mund të jesh i pari në letër, por mund të mos bëhesh kurrë një lider i vërtetë në realitet. Këtë duhet ta evidentojnë deputetët e çdo partie, nëse janë të tillë dhe të ndalojnë çdo veprim që tregon amatorizëm, dobësi njerëzore apo marrëzi individuale a kolektive.

Deputeti nuk i falet të fshihet në një listë a vendim partie, me ngritje duarsh si në mitingje. Ai apo ajo duhet të ketë ndërgjegje, pikëpamje, principe dhe të luftojë për mbrojtjen e tyre. Politikanë pa gojë, pa mendje, pa virtyte, vetëm si oportunist listash nuk duhet të ketë më në parlamente. Politikani duhet të shquhet për qëndrime të qarta e të drejta edhe kur kryetarët dhe turmat i kap marrëzia. Fryma e kopesë, grupit dhe tarafit i ka marrë në qafë disa vende dhe është shkaku i prapambetjes së tyre. Kthjelltësia në errësirë është largpamësi, qëndresa në pikëpamjet e tua dëshmi e forcës së karakterit. Sistemi këto qëndrime duhet t'i ekspozojë në vlerësimin masiv të elektoratit. Vjosa Osmani pati kurajën të dilte kundër një vendimi partie dhe krerët e penalizuan duke e vënë nga gjysma e poshtme e listës për deputet. Sistemi i listës së hapur i mundësoi votuesve ta përkrahnin qëndrimin e saj dhe ta vendosnin si më të votuarën e partisë.

Dështimet, krizat dhe mediokritetet në politike na bëjnë ta rishohim sistemin elektoral dhe në dorë të kujt kemi lënë një vendim kaq të rëndësishëm si elita politike. Listat e mbyllura i japin kryetarit një përgjegjësi që nuk mund ta nderojë. Me disa vite arsim të lartë, të kufizuar kryesisht në një fushë studimi dhe ndonjë dekade a dy përvojë pune e politike, ai apo ajo e ka të pamundur të gjykojë burimet njerëzore të një partie me qindra mijëra vite arsim të lartë dhe disa milion vite përvojë pune dhe jete, pa i vënë në konkurrim, pa i dëgjuar se ç‘mendojnë dhe çfarë duan të bëjnë, edhe sikur të priret nga dëshira më e mirë. Nëse i shtojmë kësaj analize, portretin që na jep Freud-i mbi njeriun, një qenie e influencuar nga pasioni, instinkti dhe ankthi si dhe konceptin e racionalitetit të kufizuar të H.A. Simon, që na paraqet njeriun si qenie me njohuri të pjesshme, me kufizime për të mbledhur dhe procesuar informacione, me kufizime të vëmendjes, memories dhe të mjedisit psikologjik në të cilin jeton, na shtyn të kërkojmë mekanizma institucionale dhe shoqërorë më gjithëpërfshirës për të arritur në përzgjedhjet më të mira. Jo më kot bota e qytetëruar hap garën dhe fton masivisht popullsinë të votojë për emra të përveçëm, jo për lista partish. Nuk ka mënyrë më të mirë për të evidentuar më të shquarit, me rezistentët, më të motivuarit, më vizionarët dhe me vokacion në çështjet e politikës.

Listat e mbyllura frenojnë rinovimin e klasës politike. Politikanët priren drejt konservimit dhe ruajtjes së status-quo-së. Frika dhe rezistenca ndaj ndryshimit është e njohur në çdo fushë. Frika nga konkurrenca dhe humbja e pushtetit i ka bërë njerëzit, jo vetëm të djegin burimet cilësore të kombit, por të hapin luftëra dhe eliminojnë kundërshtarët e tyre. Ne e njohim mirë këtë anë të errët të qenies njerëzore dhe për këtë arsye nuk duhet të lejojmë përqendrim të tepërt pushteti.

Listat e mbyllura dëmtojnë meritokracinë brenda institucionit partiak. Një ndër funksionet e partisë është evidentimi i politikanëve cilësorë dhe afrimi i lidershipit politik. Me emërimin në fshehtësi partia nuk krijon kushte për evidentim publik, konkurrueshmëri dhe përzgjedhje të njerëzve më me potencial dhe kapital intelektual, social dhe politik. Listat e mbyllura minojnë demokracinë në nivel kombëtar dhe forcojnë kryetarokracinë. Deputetët në demokracinë përfaqësuese duhet të jenë të deleguarit e popullit, por në rastin e listave të mbyllura janë përfaqësuesit e kryetarit. Kur është puna tek krijimi i qeverisë lideri mund të përzgjedhë ekipin sipas preferencës, bindjes dhe besnikërisë, por kur flitet për përfaqësim parlamentar prijësi nuk mund të marri atë që i takon qytetarëve. Në një vend ku klani i prijësit historikisht ka qenë më i fortë se shoqëria, mekanizmat si listat e mbyllura duhen zhbërë që shoqëria të rimarrë pushtetin e humbur.

Në situatën kur të gjitha partitë kanë përqendrim vendimmarrjeje në dorë të një njeriu a tarafi, ta lësh në funksion proporcionalin me listë të bllokuar, do të thotë të braktisësh reformën e klasës politike, t’i heqësh tregut të lirë konkurrencial mundësinë të përzgjedhë politikanin përfaqësues dhe ta lësh tërësisht këtë mekanizëm në institucionin e brishtë të partisë së tranzicionit, që do të thotë praktikisht nën sekuestrimin e kryetarit të partisë. Liria për individin dhe shoqërinë fillon kur kryetari nuk ka të sigurte as karrigen e tij, jo më të jetë zot mbi karriget e të gjithë sistemit politik.

(2) Papërputhshmëria e mazhoritarit me kulturën dhe sistemin tonë politik

Si alternativë ndaj proporcionalit rajonal me lista të mbyllura po qarkullon edhe sistemi mazhoritar. Ky është një sistem i ashpër, konkurrencial, me votë të personalizuar, ku fituesi i merr të gjitha dhe humbësit i shkojnë dëm votat që ka marrë. Ky sistem forcon bipartitizmin, favorizon partinë më të madhe, eliminon rrymat minoritare dhe deformon më së shumti votën e qytetarëve. Po sjellim konkluzionet e një studimi serioz që hedh dritë mbi dobësinë e tij krahasuar me sistemet e tjera. Pippa Norris, një politologe e shquar e Harvardit, afron disa të dhëna të vlefshme mbi efektet e sistemeve elektorale. Mbas një studimi krahasues të kryer mbi sistemet zgjedhore të 53 demokracive ajo vuri re se mesatarja e bonusit për fituesin është 12.5% tek sistemi mazhoritar, 7.4% tek sistemi miks dhe 5.7% tek proporcionali. Nga ana tjetër, mesatarja e daljes në votime është 65.4% tek mazhoritari, 71.2% tek miksi apo gjysmë proporcionali dhe 75.7% tek proporcionali". Për sa i përket numrit të partive në parlament, ajo varion në një mesatare në 3.1 me mazhoritarin, në 3.9 me sistemin miks gjysmë-proporcional dhe 4 në atë proporcional. (Pippa Norris, ‘Choosing Electoral Systems.’ International Political Science Review, Vol. 18, No. 3, Jul., 1997, pp. 297-312). Të përmbledhura të dhënat e mësipërme tregojnë se mazhoritari ka deformimin më të madh të votës popullore në përkthimin e tyre në mandate ndërsa proporcionali më të voglin, mazhoritari e ul numrin e partive parlamentare duke ndikuar kryesisht në krijimin e qeverive njëngjyrëshe dhe ndikon më pak se çdo sistem tjetër në nxjerrjen e njerëzve në votime, ndërkohë që proporcionali ruan më mirë se kushdo pluralizmin dhe ka nivelin më të lartë të pjesëmarrjes në votime.

Ky sistem favorizon më të spikaturit në nivel lokal, por në realitetin shqiptar është një portë e hapur për përfaqësim politik të baronëve lokalë, ata me para dhe forcë kriminale nëpër qarqet e vendit. Individë të tillë kanë hyrë më parë në parlament dhe vijojnë të kenë sot disa bashki të vendit. Mazhoritari kërkon një transparence rigoroze të financimeve dhe një kulturë elektorale të nivelit të lartë, me zgjedhës që jo vetëm nuk shiten, por ndëshkojnë kandidatët që kanë hije dyshimi mbi të kaluarën dhe për mënyrën se si e financojnë fushatën e tyre. Ky filtër parimor, ideologjik, mediatiak dhe qytetar është i vështirë të aplikohet në shoqërinë e sotme shqiptare. Sipërmarrës të dyshimtë, baronë politikë dhe të narkotrafikut do ta kishin të lehtë të zgjidheshin në një zonë të kufizuar lokale dhe jashtë vëmendjes së publikut kombëtar.

Mazhoritarin që favorizon partinë më të madhe nuk e balancon as sistemi ynë politik. Principi i kontrollit dhe balancimit të pushteteve këtu mungon. Amerikanët e përdorin me efiçiencë mazhoritarin, stimulojnë bipartitizmin demokratik, por kanë krijuar edhe kushte për kufizimin e efekteve të padëshiruara të tij. Ata mazhoritarin e kanë kombinuar me turin para-eleminator (të primareve brenda partiake), me zgjedhjet çdo dy vjet të dhomës së përfaqësuesve, me rinovimin çdo dy vjet të një të tretës së senatit, me pamundësinë e ndryshimit të kushtetutës nga një mazhoritet kalimtar, me veton e presidentit dhe të tjera forma si filibuster-i për të pamundësuar fituesit të anashkalojë tërësisht dhe për një kohë të gjatë minorancat apo aktorët e tjerë politikë. Ndërsa tek ne mungojnë të gjitha mekanizmat e balancimit duke e bërë shtetin të anojë në një krah. Madje edhe kur e përdorim mazhoritarin në zgjedhjet lokale, kemi zgjedhur atë me një tur, një rreng ndaj demokracisë, që nxjerr fitues minoritarin kryesues, por nuk i shkon garës deri në fund për të nxjerrë mazhoritarin absolut. Shumë vende përdorin mazhoritarin me dy ture, qoftë me tur preliminar primaresh, qoftë me nxjerrjen në balotazh të dy vendeve të para, për të nxjerrë fituesin.

Pa reformimin e partisë politike, ku të gjitha rrymat ideologjike të kenë mundësi konkurrimi, mazhoritari ku emërohen por nuk zgjidhen kandidatët, mundëson kapjen e sistemit nga klani drejtues, me akses mediatik dhe forcë financiare. Përveç kësaj, sistemi ku fituesi i merr të gjitha nuk i përshtatet ndryshimit që ne duhet të bëjmë. Në histori përqendrimi i pushtetit na ka kthyer në diktatin e një njeriu. Këtë traditë duhet ta eliminojmë dhe sistemi duhet të na ndihmojë, jo të na i konsolidojë. Dallimi më i madh i Lindjes me Perëndimin janë tek raportet e prijësit me pushtetin dhe aftësia e qytetarëve për ta kontrolluar, për të ruajtur lirinë dhe bllokuar abuzimet. Për këto arsye mazhoritari është i papërshtatshëm, por principi i tij, i votës së personalizuar mbetet mjaft i vlefshëm  dhe duhet përfshirë në formulën finale të sistemit të ri elektoral.

(3) Dobishmëria e proporcionalit kombëtar me lista të hapura

Proporcionali përdoret në 68% të vendeve të BE-së për zgjedhjet legjislative kombëtare dhe ne nuk duhet t'i ikim këtij sistemi, por duhet të zgjedhim atë kombëtar dhe me lista të hapura. Në një vend ku kultura institucionale dhe politike favorizon supremacinë e prijësit, ku heshtja është zgjedhja e artë e çdo arrivisti dhe ku aktivistët politikë preferojnë servilizmin në vend të kritikës dhe ndryshimit, vota e personalizuar e qytetarëve mbetet ilaçi kundër patologjive të tranzicionit, për reformimin e klasës politike, për fuqizimin e demokracisë në brendësi të partive dhe në zgjedhjet e përgjithshme.

Krahas disa mangësive të evidentuara më sipër të rajonalit, ai bie ndesh me frymën e kushtetutës dhe me përcaktimet që i bëhen statusit të deputetit. Në bazë të nenit 70 të kushtetutës "deputetët përfaqësojnë popullin dhe nuk lidhen me asnjë mandat detyrues". Meqenëse deputeti presupozohet të jetë përfaqësues i të gjithë popullit, jo i një zone, a nuk do ishte më logjike të zgjidhej në nivel kombëtar se sa në nivel lokal, me votë të personalizuar se sa i fshehur në një listë partie që nuk bëhet objekt i zgjedhjes elektorale?

Logjika përzgjedhëse brenda partisë politike ndryshon nga logjika më të cilën përzgjedh qytetari. Në hierarkinë e prioriteteve partia vendos disiplinën, konformizmin, marrëdhëniet me liderin, me grupin drejtues, uniteti shpeshherë shkel parimet. E kundërta ndodh me votuesit. Racionaliteti i votës së tyre bazohet mbi një kombinim të përkatësisë politike me vlerësimin e vetive të kandidatit për deputet si: kapaciteti i përfaqësuesit, arsimimi, rezistenca, kruajua, shpirti luftarak, suksesi, vendosmëria, dashuria për njerëzit dhe vendin, kombinimi i tradicionalistit me modernin, i mendimtarit me altruistin. Nëse partia do të jetë nën presionin e votës së drejtpërdrejtë të proporcionalit me listë të hapur do jetë e obliguar të përfaqësohet në ballafaqimet elektorale me figurën që afrohet më shumë me portretin-robot, konstruksion i pritshmërisë shoqërore. Zgjedhësve u duhet dhënë kjo mundësi dhe ka të dhëna se e shfrytëzon faktorizimin.

 

Në Kosovë ndryshimi nga proporcional me lista të mbyllura, në proporcional me lista të hapura pati një efekt pozitiv në rinovimin e klasës politike. Zgjedhësit e kryen misionin e tyre. Një studim i publikuar nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave, vihet se proporcionali me lista të hapura, në zgjedhjet e viteve 2010 dhe 2014, mundësoi hyrjen në parlament të 39% të deputetëve të rinj që nuk do kishin mundur të hynin me listat e mbyllura, ndërkohë që kjo përqindje tek partitë e mëdha arriti në nivelin e 49% në vitin 2010 (Albert Krasniqi, Sistemi Zgjedhor, tek publikimi Sistemi Zgjedhor dhe Partiak në Kosovë, botuar nga Kipred dhe Cemi, Prishtinë, fq. 48-49). Të dhënat e zgjedhjeve të fundit (6 tetor 2019) janë në përpunim, por lista e deputetëve fitues të LDK-së tregon se 35.5% vjen nga pjesa e renditur fillimisht më poshtë nga partia. Duket se proporcionali me lista të hapura e lejon elektoratin të operojë mbi klasën politike. Konkurrenca edhe brenda partisë bëhet e fortë. Mirëqenia e një populli lidhet ngushtë me lirinë e tij, me konkurrencën e ideve dhe të njerëzve, me mbijetesën e pluralitetit të interesave që kanë mundësi të promovohen, të përzgjedhin njerëzit që i përfaqësojnë përmes proceseve të ndershme. Kjo nënkupton që për asnjë arsye dhe për asnjë çast nuk mund të evitohen zgjedhjet periodike në parti politike, për asnjë arsye nuk mund të anashkalohet testimi përmes votës ideve dhe realizimeve të gjithkujt.

Vota e individualizuar për zgjedhjen e deputetëve duhet të mbetet kolona e sistemit elektoral dhe mekanizmi kryesor i përzgjedhjes së elitave politike. Zgjedhësit duhet t’i lihen mjetet e drejtpërdrejta për të operuar dhe për të nxjerrë jashtë lojës parlamentarët, që gjatë një cikli elektoral shfaqën shenja paaftësie, deviacioni e plogështie, reflekse dhune, mungese integriteti dhe ndershmërie,  papërputhshmëri  për të vazhduar t’u shërbejnë interesave të qytetarëve. Ligji i ri elektoral duhet të stimulojnë aktivitetin e parlamentarit në shërbim të zgjedhësve, të vendosë në një përpjesëtim të drejtë dobishmërinë e mandatit me shanset për t’u rizgjedhur dhe t'u rikthejë zgjedhësve demokracinë e grabitur nga kryetarët e partive politike.

*          *          *

Sistemi duhet njëherësh të inkurajojë pluralizmin, qeverisjet me koalicione dhe të ruajë një përfaqësim parlamentar sa më afër votës së qytetarëve. Në mungesë të një demokracie të brendshme partiake, ligji i ri elektoral duhet të krijojë mundësi të hyrjes në parlament të rrymave minoritare dhe partive të vogla ideologjike me shtrirje kombëtare. Për këtë pragu duhet të jetë rreth 3% (me mesataren e pjesëmarrjes tonë në votime shkon rreth 50 mijë zgjedhës), me +2% për çdo parti që hyn në koalicion me të parën. E reja duhet përkrahur në çdo fushë, veçanërisht në politikë. Nuk është e thënë që çdo risi të jetë një qasje e dobishme, por bota ecën kur rritet konkurrenca dhe sfida. Për këtë arsye pragu nuk duhet të jetë dekurajues, por mbështetës që herë pas here sistemi të sfidohet dhe këto tentativa mos shuhen dhe kur kanë një mbështetje prej 3% në rang kombëtar të dëgjohen nga foltoret e parlamentit. Ky prag ndalon parazitizmin, por dhe nxit grupimet ideologjike. Shqipëria ka sot afro 70 parti, që janë shumë dhe përgjithësisht fiktive, me kryetarë që mbajnë nga një vulë dhe u duhen prijësve për të nënvizuar pluralizmin dhe gjetur alibinë për zhdukjen e demokracisë partiake. Shumica prej tyre nuk e kalon 2% dhe mbijetojnë duke u ngjitur të mëdhave. Me proporcionalin kombëtar në lista të hapura dhe prag 3%, kryetarët pa elektorat do dalin nga skena politike, partitë fiktive do treten dhe do mbeten ato të mirëfilltat duke i kthyer skenës politike seriozitetin dhe vërtetësinë.

—————

Autori është deputet i pavarur në Parlamentin Shqiptar, Doktor i Shkencave, me studime mastër në Bukuresht dhe New York për fushatat elektorale, lektor i lidershipit dhe i fushatave elektorale.

Të fundit