Flash News

KRYESORE

Situata e rëndë e përmbytjeve, dy shkodranet politikane ‘përplasen’ me njëra-tjetrën

Situata e rëndë e përmbytjeve, dy shkodranet politikane

Situata e përmbyteve në Shkodër ka qenë tejet e rëndë. Mirëpo, jo të gjithë politikanët e shohin në të njëjtin këndvështrim çështjen.

Zv. kryeministrja shkodrane Senida Mesi, në një deklaratë për median u shpreh sot se situata në Shkodër është nën kontroll dhe po menaxhohet orë pas ore. Ndërsa kryebashkiakja Voltana Ademi  njoftoi bashkëqytetarët e saj se qeveria ka refuzuar shpalljen e emergjencës në këtë qark.

"Të dashur banorë të zonave të përmbytura të Bashkisë së Shkodrës. Jam e detyruar t’u jap një lajm jo të mirë: Qeveria shqiptare e refuzoi zyrtarisht kërkesën tonë për shpalljen e emergjencave civile. Këmbëngulja jonë 15 ditore, rezoluta unanime e Këshillit Bashkiak të Shkodrës fatkeqësisht nuk u morën parasysh nga qeveria në Tiranë”, shprehet Ademi.

Kryebashkiakja e Shkodrës thotë se u detyrua ta japë këtë lajm të trishtë pas prononcimit të zëvendëskryeministres Senada Mesi.

“Më e keqja është se këtë përgjegjësi të rëndë refuzuese të një të drejte legjitime të banorëve në zonat e përmbytura, ia lanë një bashkëqytetareje, e zgjedhur deputete edhe me votat tuaja. Këtë herë Shkodrën qeveria ka vendosur ta dënojë duke përdorur një shkodrane dhe kjo, të gjithëve ne, na lë një shije të keqe”.

Numri dy i qeverisë mblodhi Komitetin e Koordinimit të Emergjencave Civile dhe Krizave për të marrë të tjera vendime për të menaxhuar situatën në shërbim të banorëve.

“Vendosëm: Të shtojmë furnizimin me bazë ushqimore për banorët dhe uji të pijshëm. Edhe pse ujësjellësi funksionon në disa zona të prekura, është më mirë të mos përdoret. Të shtojmë furnizimin me bazë ushqimore për gjënë e gjallë. Të shtojmë forcat në terren për tu ardhur në ndihmë banorëve sipas nevojave të tyre. Në këtë moment është e rëndësishme manaxhimi i situatës me të gjitha kapacitetet në dispozicion. Në fazën e rekuperimit është shumë e rëndësishme të evidentojmë dëmet dhe pasojat dhe të marrim masat për parandalim të mëtjeshëm”, shprehet Mesi.

Të fundit