Situata nga Covid-19, Ministria e Arsimit shtyn pa afat vendimin për mbylljen e shkollave

Ministria e Arsimit ka shtyrë pa afat vendimin për mbylljen e institucioneve arsimore, për shkak të situatës së krijuar nga coronavirusi.

Ministrja Besa Shahini në një video-mesazh tha se në kushte të tilla mësimi do vijojë online, ndërsa u bëri thirrje mësuesve të mos mbingarkojnë nxënësit  me koncepte të reja.

“Duke parë përhapjen e cortonavirusit në vend kemi vendosur të shtyjmë pa afat vendimin e mëparshëm për mbylljen e institucioneve arsimore. Sot që flasim nuk e kemi ende një datë se kur hapen shkollat dhe kur mund të vijojmë mësimin normalisht.

Ministria do të vijojë me organizimin e xhirimeve të leksioneve që mësuesit po bëjnë gati për arsimin parauniversitar. Këto do të transmetohen siç kemi bërë katër javët e para në RTSH dhe do të ritransmetohen në kanalin youtube të MASR. Mësuesit do të vijojnë komunikimin e tyre të përditshëm me nxënësit dhe u bej thirrje të mos i mbingarkojnë me koncepte të reja.

Për universitetet unë bëj ftesë që të kalojnë të gjitha lëndët online, sepse nuk jemi të sigurt sa do të zgjasë kjo periudhë kur po punojmë në kushte shtëpie dhe duhet t’i jepet shans secilit student që të mbyllë studimet e veta në kohë”, tha Shahini.