KRYESORE

‘Situatë e çmendur, donin gjakderdhje’/ Si tentoi Meta të shmangte një '21 janar të dytë'

‘Situatë e çmendur, donin gjakderdhje’/ Si tentoi Meta

Në vijim të sqarimit të vendimit të tij për shfuqizimin e 30 qershorit si datë e zgjedhjeve vendore, presidenti Ilir Meta tha se ndërhyrja e tij ishte për të shmangur gjakderdhjen.

Meta solli në vëmendje rastin e oficeres së policisë që humbi gishtin gjatë protestës së opozitës, dhe u shpreh se nuk mund të priste që të humbte jetën ndonjë polic apo qytetar.

“Kur vendosa të shtyjë zgjedhjet, situata ishte e çmendur, të dyja palët nuk mbanin asnjë lloj përgjegjësie. Të dyja palët donin konfrontim, që mund të sillte gjakderdhje, mos harrojmë që një police e re humbi gishtin. Presidenti nuk mund të priste që të humbte jetën një polic, apo një qytetar. Asnjë palë nuk do mbante përgjegjësi, të dyja do akuzonin njëra-tjetrën, duke përshkallëzuar më tej krizën që nuk ishte në interes të Shqipërisë dhe Kosovës. Para se të merrja një akt të tillë, të cilin e mora pasi u njoha me dokumente sekrete shtetërore”, tha Meta.

Kujtojmë se një ngjarje e tillë ka ndodhur më 21 janar 2011, ku 4 qytetarë mbeten të vrarë gjatë një proteste të dhunshme që opozita e asaj kohe (Partia Socialiste) zhvilloi përpara Kryeministrisë.

Arsyeja e protestës së 21 janarit 2011 qe publikimi i një videoje të regjistruar nga Dritan Prifti, ku paraqitej Ilir Meta, në atë kohë kryetar i LSI-së dhe Ministër i Jashtëm, duke urdhëruar manipulimin e një tenderi për hidrocentral me koncesion nën premtimin e një pagese prej 700 mijë eurosh si dhe punësimin e disa militantëve të partisë së tij.

Duke ju referuar edhe deklaratës së tij të sotme, është pikërisht një 21 janar i dytë ajo që Meta tha se është përpjekur të shmangë, duke zhdekretuar 30 qershorin si datë për zgjedhjet vendore.

Meta deklaroi në seancën e sotme se kishte marrë informacione që nëse do të zhvilloheshin zgjedhjet në atë datë, do të digjej parlamenti.

Ndërkohë, kujtojmë se një javë para 30 qershorit u fol se vendoret do të shoqëroheshin nga protesta të dhunshme ku do të kishte atentate dhe të vrarë. Opozita paralajmëronte se qeveria do të provokonte me 30 qershor akte të dhunshme dhe se për këtë ishin liruar nga burgjet edhe disa kriminelë.

Nga ana tjetër ishin edhe ambasadat e huaja, si ajo Amerikane dhe Italiane që paralajmëronin të njëjtën gjë dhe u kërkonin qytetarëve të tyre në Shqipëri që t’i shmangnin qendrat e votimit më 30 qershor.

Po ashtu, për arsye sigurie, Këshilli i Evropës vendosi të tërhiqte vëzhguesit e tij për zgjedhjet vendore të 30 qershorit.

Ata dërguan një email ku sipas tyre, arsyesja kryesore për tërheqjen e vëzhguesve ishte; “pasiguria e vazhdueshme në lidhje me organizimin e zgjedhjeve lokale në Shqipëri më 30 qershor dhe për për shkak të rreziqeve të mundshme për sigurinë në disa zona të caktuara.”

Ditari politik

Të fundit