“S’ka shans të ndryshoni qeverinë pa zgjedhje”, ish-ministri -Ramës: Konfirmo veten në krye të qeverisë, ose lëre me kaq

Ish ministri Ylli Manjani komenton një ndër citimet e kryeministrit Edi Rama në letrën e tretë dërguar sot kreut të PD, Lulzim Basha.

Duke u ndalur te fraza “asnjë shans të ndryshoni qeverinë pa zgjedhje”, Manjani thekson se në thelb është dakord me këtë sentencë, por po të ishte ashtu do të shpallte zgjedhjet, pasi ai është sot në krye të qeverisë jo nga shumica e votave popullore, por nga marrëveshja anti-Kushtetuese me Bashën, që sipas tij ka rënë.

“Asnjë shans të ndryshoni qeverinë pa zgjedhje” – kumton Kryeministri në letrën e tretë të mllefit kundër opozitës.

Unë jam plotësisht dakord me këtë sentencë, pavarësisht dëshirës së mllefosur për të shkrirë opozitën.

Në thelb ashtu është, qeveria ndryshon vetëm me zgjedhje.

Prandaj, shpalli ato zgjedhje! Jepi vendit zgjidhje politike dhe parlament pluralist!

Shko në zgjedhje politike si çdo politikan normal. Në mos si Kurz, të paktën si Vuçiç apo si Gruevski.

Sot për sot je Kryeministër jo nga shumica e votave popullore, por nga marrëveshja anti-Kushtetuese me Bashën.

Ajo marrëveshje ra, ndaj duhet të vendosë populli për përfaqësimin e vet politik jo Ti, as Basha e as të dy bashkë ju! As të gjithë bashkë ju, pleq e të rinj politikanë!

Por, vetëm Ti ke në dorë zgjidhjen e problemit. Lexoje dhe përdore nenin104 të Kushtetutës. Ai nen është shkruar për këtë ditë.

Shko në zgjedhje, i padorëhequr ashtu siç je!

Shko në zgjedhje dhe o konfirmo veten në krye të qeverisë, ose lëre me kaq kët aventurë!

Lëri bashkitë, se siç i merr në dorëzim nga Çeçua do ja japësh prap Çeços si Çeçua!

Mendoje më mirë! Çeço rrypin e pykën ka, s’ka ç’të humbë më. Ai që humb je vetëm ti…

Sinqerisht”, shkruan Manjani.