Skandali i spiunazhit/ Agjenti serb merr para nga një rus dhe shkakton rrëmujë në Beograd (video)

Skandali i spiunazhit ka trazuar Serbinë pas një videoje të publikuar, ku një agjent i shërbimit të zbulimit rus, i cili u filmua duke i dhënë para një zyrtari serb të shërbimit të sigurisë. Aty shihet një diplomat rus duke i dhënë një çantë agjentit serb në Beograd, nga e cila ky fundit nxori një zarf me para.

Një zyrtar i Agjencisë Informative dhe të Sigurisë së Serbisë, e njohur si BIA deklaroi se videoja ishte autentike. Ajo u postua më 17 nëntor në rrjetin social You Tube.

Shefat e shërbimeve të zbulimit dhe kundërspiunazhit do të mblidhen e do të flasin për këtë çështje, ndërsa presidenti Aleksandar Vuçiç ka kërkuar që të nisin hetimet e çështja të zbardhet.

“Situata është serioze dhe komandanti suprem (presidenti Vuçiç) do të shpalosë përfundimet pas shqyrtimit të hollësishëm”, tha ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandër Vulin.

Kryeministrja Ana Bërnabiç tha se “nëse kjo del e vërtetë, do të jetë një problem i madh”.

Madje pritet që presidenti serb të takohet edhe me ambasadorin rus në Beograd, Alexander Bocan Harchenko.

Serbia është aleatja më e madhe e Rusisë, ndërsa e ka bërë të qartë se nuk do të anëtarësohet në NATO. Nga ana tjetër, Rusia është avokatja më e madhe e Serbisë, kundër pavarësisë së Kosovës.