Skandali me turistët spanjollë bujë edhe në Fox News: Kryeministri ‘goditi’ biznesmenin pasi video u bë virale

Incidenti me turistët spanjollë, të cilët u sulmuan nga pronari i një restoranti në Porto Palermo të Himarës, Mihal Kokëdhima ka bërë bujë edhe në mediat e huaj.

‘Fox News’ i ka dhënë vëmendje edhe ndëshkimit të tij prej kryeministrit Edi Rama, pasi rasti u bë publik dhe videoja e incidentit u bë virale.

“Një pronar i restorantit shqiptar u kritikua shumë nga kryeministri i vendit, duke u cilësuar si një “barbar” pasi një video tronditëse tregoi se ai ishte ngjitur në një makinë dhe grushtonte xhamin pas një mosmarrëveshje me një grup turistësh spanjollë.

Në pamjet që u bënë virale, Mihal Kokedhima, 51 vjeç, shihet se si qëndron i kapur pas kofanos së makinës në lëvizje, ndërsa ai vazhdon të grushtojë xhamin dhe duke e thyer atë. Ky moment ka terrorizuar turistët.

Sipas Daily Mail, makina është ndalur dy milje pasi Kokëdhima ka dalë nga restoranti në Porto Palermo.

Videoja ka ngjallur zemërim në qeverinë shqiptare, me kryeministrin Edi Rama duke reaguar në faqen e tij zyrtare në Facebook menjëherë pas incidentit për të dënuar veprimet e Kokedhimës.

” Barbari që goditi miqtë spanjollë, shkeli mbi kodin e shenjtë të mikpritjes shqiptare, duke na turpëruar të gjithëve

Mikpritja është fuqia më e pakonkurueshme e turizmit shqiptar, e cila mbreson të gjithë të huajt që na vizitojnë dhe përtej difekteve, mungesave e sjelljeve jo gjithnjë të dëshiruara në shërbimet tona turistike, që me kohën e me eksperiencën do të fashiten, agresioni i mbrëmshëm është një njollë turpi për të mos u harruar kurrë.

Miqve spanjollë i kemi kërkuar qysh në momentin e parë, ndjesat tona dhe ata do të rikthehen përsëri. Ndërsa barbari uroj të mos i shpëtojë dot duarve të drejtësisë”, shkruante Rama pas ngjarjes së bujshme.