Që nga viti 2010 e deri tani, mësues e nxënës e zhvillojnë procesin mësimor në një magazinë mallrash, që çfarë bie jashtë, e fut brenda. Në magazinën e improvizuar si shkollë, ka 4 klasa e 40 nxënës. Klasat janë në gjendje të mjerueshme, ndërsa për tualetet kanë ndarë zonat me konsensus. Si për ironi, shkolla e re ka 7 vjet që është ndërtuar dhe duket se është e pajisur me çdo gjë.
Por ende askush nuk ka hyrë në të. Drejtoresha e shkollës Sadete Duka thotë se vonesa në përdorimin e shkollës së re ka ardhur pasi nuk është vënë sistemi hidraulik, elektrik dhe kanalizimet e ujërave të zeza.
Eglantina Metani, drejtoreshë e DAR Tiranë, thotë se shqetësimi i ka kaluar për zgjidhje bashkisë së Tiranës. Ndërsa Liman Këta, përgjegjës i shërbimeve në njësinë administrative thotë se brenda dy javësh do të zgjidhet gjithçka. Por ka kaluar një muaj dhe situata është e njejtë…?!
Gazetarje e Emisonit “Stop” ka udhëtuar për dy orë për të shkuar tek shkolla dhe shikon nga afër gjendjen e mjerueshme ku zhvillojnë mësim 40 nxënës.
Gazetarja: Përshëndetje, si e zhvilloni mësimin këtu..?
Mësuesja: Në kushte të vështira… Tavani i shkollës është i përbërë nga plasmas serash. Për të mos folur për pjesën e llamarinas, kur bie shi dhe breshër nuk dëgjohet asnjë gjë.
Fëmijët shprehen se kushtet janë shumë të vështira dhe i duhet të veshin shumë rroba për të përballuar temperaturat e ftohta.