All - Scripts - 4
All - Scripts - 5

Flash News

Desktop - General - 1

OP-ED

Skënderbuçko, Hajdarina dhe vetlla e Mozit

Skënderbuçko, Hajdarina dhe vetlla e Mozit
All - Paragraf - 1

(Farsë)

Prolog

All - Paragraf - 3

"Hajdarina n'kuvend t'ngujimit, ohoho-heej...! Ushtuan luginat, shpatet, rudinat. . . . Sapo Hajdarina shpalli sintagmën e madhe teologjike; "Unë jam opozita! Tjetër opozitë veç meje s'ka...”. Mozit i iku vetlla. Vetlla e tij e majtë nga horizontalisht kthehet në vertikale, kur ndodhin kthesa të rrëmbyeshme dhe mbetet ashtu, derisa shkrihet befasia. Kjo i ndodhi edhe në këtë rast ngaqë nuk e pati lexuar fjalimin e depozituar paraprakisht përpara se t'i jepej çupkës.

Jo, jo, pati thënë. Do ta dëgjoj në sallë sefte. Me njërin sy të lirë pati kohë ta rajonizonte vend-ndodhjen e Skënderbuçkos. Ky shfaqej i relaksuar megjithë gju-tundjen nën bangë, por kur nuk i fishkëllen hunda, shpërthimet e stuhishme janë akoma larg. Për herë të parë, prej viteve të largëta '80 të diktaturës së parë, Mozi provoi vagëllimën e një admirimi pa kusht për liderin sa deshi ta rrokte, gjë që nuk mund të ndodhte. Këtë sensacion u mundua t’ja përcillte, po vështrimi i tij i vdarur se nga bariste. E kur më në fund e zuri në ajër, siç kapet një mizë në fluturim, i foli: -Jo keq çupka, ë? I shqepojnë fjalët, por të lexojë di.

Kur u kujtua se kumti, për arsye distance, s’po mbërrinte, sajoi me dorë një gishtërim si në fejsbuk, dhe ia adresoi me "tag". Afër Skënderbuçkos, në të dy krahët e tij, fillonin zgjatimet e qeverisë. Të gjithë pa përjashtim shijonin të kënaqur fjalimin.

-Shefo, zgjati qafën e njomësht zv/ministri i Jashtëm në drejtim të ministrit të vet imediat për ontologji edhe vetë k/ministrit: Sot, sipas meje, mori fund dilema ekzistenciale evropit, "ta rruash a mos e rruash për opozitën," si thua?

Buçkua krojti hundën me vërtik, sa zv/ministri nga frika e ndonjë flakërime turinjsh, desh përplasi kryet në anën tjetër tek balluket e tejzbardhura të ministri të Lëndëve Helmuese. Zv/ministri i Jashtëm, qysh kur me humor "intelektual prej shumë të lexuari," zhveshur nga gozhupët e diplomacisë pati thënë në një "koktail" qefi se ai ishte i vetmi zv/ministër që brenda eprorit imediat kishte si ministrin edhe kryeministrin, njësoj si në matrioshkën ruse, qe ndeshur me kundrimin përbuzës të shefit. "Incidenti" u kuptua më vonë duke hulumtuar me Butonin e "vikipedias" rilindase, ku kishte gjetur se si "faktori" i tretë, si dilema hamletiane, ishin përdorur më parë në batutat e Buçkos thuajse me të njejtén referencë. Kjo e bëri zv-njomëzak jo vetëm t'i druhej mendimit gjigand të Skënderbuçkos, po ta kishte më tmerr sesa njëqind beteja diplomatike...

Ndërkaq Hajdarina kishte filluar një enumeracion të thepisur antitetik sfidash: "Unë, po edhe murrizi këtu, jam lindur me dy gishta lart, ju jo. Asnjë prej jush nuk është lindur me dy gishta, këtë e di dhe Departamenti i Shtetit... Unë jam përkundur në miting, ju jo. Unë kam qenë "yllkë" e PD, ju jo, unë...unë do ta ndreq këtë politikë përdreq..., bashkë me ju. Kokrra e syrit e Hajdarinës u ndal shi në figurën e Skënderbuçkos, vështrimi i të cilit e rrokaqafi atë të vashës, si në fantazitë intime të padukshme për çdo sylesh, por jo për sensorin e gjashtë apo gjashtëmbëdhjetë, të spiropales.

"Ja ja dhe një flutur e Lulit që vërtitet rreth dritës llamburitëse të skënderbuçkos tim, -nënqeshi ndezullisht ministrja. Harron ti se xanxa ime ështe "led" i pagabueshëm, moj kandërr mjerane. Ndjeu kromën e dregëzave akoma të pashëruara në betejat e saj ndër brigje. Ishte koha kur buçkua si gjithë trapët në vend të rrinte në bregun ku lidhej, hutohej, vozitej e lëpihej bregut përtej...

-Ty do të mbys, në vend të të gjezdis nëpër Europë si atë tjetrën, more vesh,- i'u hakërrye me zë ministrja asaj rivales së re, pastaj ashtu pa qef fshehu fytyrën mes shkurrajës së kaçurrelave, për të ndjekur fjalimin "idiot".

Hajdarina bëri një pauzë intonative, hodhi përtej veshit palën e flokut, përkëdheli me delikatesë mikrofonin, sa kuven'tarët u bënë prap veshë e sy. "Ata të përjashtmit përtej gardhit me tela, siç e ka thënë një filozof, -kërkoi me sy përsëri skënderbuçkon, -do t'i çojmë për skrap. Kuvendtarët shpërthyen në duatrokitje, këmbërropatje, përqafime, klithma kënaqësie. "Por, por, por,-e çoi oktavin e zërit vasha, me gishtin tregues lart, kësaj here duke folur pa letër, por me pozën supreme të "...s'e keni parë akoma" komandoi: "ftoj gjithë socializmin e sallës në këmbë." Socializmi në këmbë. U ngrit Skënderbuçko, pas tij qeveria edhe Mozi me vetull të shtangur. "Gati-tu! Për nder të 4 heronjve ...të Vigut, urdhëroj një minut' heshtje,"-përfundoi solemnisht Hajdarina.

Epilog

Vetlla e Mozit ra bashkë me perden e seancës.

Të fundit