Flash News

KRYESORE

Skënderbeu i pambuluar dhe gatishmëria antimuslimane

Skënderbeu i pambuluar dhe gatishmëria antimuslimane

Alfred Lela

Kush ngutet përmutet, thotë një aforizëm gege. Kjo përmutje përfshiu sot të madh e të vogël, në një ditë që përndryshe duhej të ishte një festë fetare dhe familjare. Ajo u kthye në një debat të madh që gjithashtu u përmut nga ata që, në mungesë të argumentit gjithmonë zgjaten për topin e m....

Në prodhimin e ngutjes, më së pari, e ka dhënë ndihmën e vet deklarata e paradokohshme e një hoxhe të fandaksur nga Kosova, i cili pat thënë diçka për faktin se muslimanët nuk mund të falen nën Skënderbeun, pasi kështu nuk ka lezet. Apo diçka të tillë, qëndisur me arabeska që nuk i përkasin tezgjahut shqiptar.

Tërbimi i hoxhës, janë nja tre a katër, në fakt, dhe të gjithë prodhim Kosove, u takua në Tiranë me shfrimin e 'klerikëve të internetit'. Pas rënies së valëve të zemërimit dhe një videoje të shpërndarë nga Komuniteti Musliman, u pa se monumenti i Skënderbeut nuk ishte mbuluar. Skena ishte vendosur në të djathtë të Heroit kombëtar, i cili vazhdon të jetë, pavarësisht regjimeve që janë ndërruar në Tiranë, në 'qendër të qendrës'.

Një shpjegim i dytë i kreshpërimit publik, ka të bëjë me vetë natyrën e rrjeteve sociale. Ato bazohen kryesisht te e pamenduara, e pathellura, e pashpjeguara, e pahetuara etj. Në Facebook askush nuk pyet, ndërkohë që të gjithë kanë një përgjigje. Facebooku është laguna e gjahut të lehtë. Aty nuk ka moratorium dhe as zona të mbrojtura. Aty rritet me pekule 'kompleksi i palloit', shpendit me pendë të ndritura dhe ngrefosje proverbiale. Në mëkimin e natyrës së tij ndihmojnë shpezë të tjera të lagunës që, edhe pse të balsamosur për ruajtje, theren çdo ditë. Patriotizmi është zogu që me gjakun e vet e spërkat çdo ditë territorin e Facebook-ut.  

Një anë e tretë e medaljes, ana për të cilën nuk flitet kurrë, është një predispozitë antimuslimane në Shqipëri. Le ta themi këtë. Ka një sentiment që regjet si lëkurë berrash në agoranë publike në Shqipëri dhe, në përpjekje për të ngritur 'kreditet oksidentale' shndërrohet në cinizëm karshi muslimanëve shqiptarë.

Të cilët ruajnë në sëndukun e trashëgimisë së tyre perlën e një fakti: nëse Shqipëria mburret për tolerancë fetare, lart e poshtë nëpër botë, atë e kanë bërë të mundur pikërisht muslimanët. Tolerancën e prodhojnë shumicat, jo pakicat. Ato e gëzojnë.

Pakicat duhet të sillen në të njëtën mënyrë: të jenë tolerante.

Ta pranojmë: kishte mungesë tolerance në shfryrjen e sotme për mbulimin e Gjergj Kastriotit. Hamendësimet i mbuluan faktet. Skënderbeu ndërkohë mbeti i pambuluar.

 

Të fundit