Flash News

KRYESORE

Skulptura e Skënderbeut, reagojnë artistë e intelektualë: E shëmtuar, qesharake, një luftëtar i Xhingiskanit…

Skulptura e Skënderbeut, reagojnë artistë e intelektualë: E

Prezantimi i parë i një statuje të Skënderbeut që pritet të ngrihet në Budapest ka zemëruar artistë në Shqipëri, të cilët thonë se në të janë përzierë tipare shqiptare dhe sllave. Lajmet se një monument për heroin kombëtar shqiptar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, do të ngrihet në parkun qendror të Budapestit fillimisht u mirëpritën nga shqiptarët në media. Megjithatë, entuziazmi filloi të zbehej më 25 korrik, kur ambasadori shqiptar në Hungari, Arian Spasse, bashkë me skulptorin hungarez, Mihaly Gabor, pozuan para monumentit gjysmë të përfunduar dhe fotografitë u shpërndanë në rrjetet sociale të ambasadës.

Disa shqiptarë u tronditën nga pamja e skulpturës së re të heroit të tyre kombëtar, duke e parë atë shumë ndryshe nga skulpturat dhe imazhet më tradicionale të tij, siç është ajo në sheshin kryesor të Tiranës.

Dekani i Arteve të Bukura në Universitetin e Tiranës, Ardian Isufi, ishte i pari që theu heshtjen dhe tha se tiparet e këtij Skënderbeu nuk ngjanin si ato të një shqiptari.

“Nuk kam parë kurrë një Skënderbe më të paqartë. Ai mund të jetë një hungarez, bullgar ose serb, por kurrë një shqiptar,” shkroi ai në Facebook më 27 korrik.

Ai i bëri thirrje Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë të reagojë, duke pretenduar se tiparet e statujës ishin pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të shtrembëruar kulturën dhe historinë shqiptare.

Megjithatë, dyshimet në lidhje me rezultatin final të skulpturës mbeten të larta.

Ilir Lluka, artist audiovizual, tha për BIRN se statuja ishte shqetësuese pasi të jepte një ide të përgjithshme se nacionalitetet shqiptare dhe sllave ishin një dhe njësoj.

“Shumë njerëz mund t’i konsiderojnë këto kritika të parëndësishme, por ky është një rast kur pamja e jashtme merr rëndësi, duke kontribuar në një injorancë ndërkombëtare në lidhje me shqiptarët dhe se kush janë ata,” tha ai.

“Identiteti ynë rrezikon të përzihet me atë të të tjerëve derisa të zhduket plotësisht nga mendjet e njerëzve,” tha Lluka.

Edhe Moikom Zeqo komenton skulpturën e Skënderbeut që është planifikuar të ngrihet në Budapest. Skulpturën, studiuesi e ka cilësuar të turpshme vizualisht dhe të shëmtuar artistikisht, madje ai bëri apel që të ndalohet ajo dhe çdo vepër tjetër artistike për heroin tonë kombëtar pa marrë më parë miratimin e një trupe artistësh apo historianëve. “Së pari kjo skulpturë është tepër e shëmtuar. E dyta, nuk duhet bërë asnjë skulpturë e Skënderbeut, qoftë në Budapest, qoftë vende të tjera që janë bërë, pa aprovimin e këshilltarëve që merren me artin e skulpturës sepse kjo është një çështje e madhe kombëtare, nuk është një çështje personale, e shijes që mund të ketë autori. Skulptura që pashë unë e që do të vendoset në Budapest, që uroj të mos vihet kurrë, është qesharake për nga pikëpamja vizuale dhe e artit të skulpturës. Lëre që është e shëmtuar njëherë, por nuk jep asgjë nga madhështia dhe nga ai që quhet moduli autentik i heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Me pak fjalë është një gjë pas asnjë kuptim.”, tha Zeqo në një intervistë për gazetën “Shekulli”.

Edhe regjisori Jani Tane reagon për skulpturën: “Ka dhe skulptore amatore.Ky nuk eshte Skenderbeu,por ndonje luftetar i Xhingiskanit. Skenderbeu eshte kryeheroi i Shqiptareve. Ai luftoi mbi kale,veshja e tij ishte prej aristokrati,realizohej ne Napoli ,Venedik,Vatikan . Perkrenarja derdhej ne Rome.Figura e Skenderbeut eshte madheshtore dhe jo lilipute.Shpata ishte e rende dhe ishte aktive dhe jo pasive ,sic paraqitet nga skulptori i pa informuar hungarez.Mire do te ishte qe skulptura te paraqiste dy luftetaret stratege te pamposhtur Janosh Huniadin , heroin Hungarez dhe Skenderbeun tone, te cilet luftuan per nje qellim. Ambasada jone te marre specialiste dhe te beje sugjerimet e sakta per madheshtine e skulptures se Skenderbeut,ndryshe nuk duhet te marre pjese ne inagurim.”

 

 

Të fundit