Flash News

KRYESORE

Sot, 40 vjet nga pushkatimi i Vilson Blloshmit dhe Genc Lekës

Sot në mbrëmje mbushen 40 vjet nga pushkatimi i poetëve ët Librazhdit, Vilson Blloshmi dhe Genc Leka. Ata u pushkatuan natën e 17 korrikut të vitit 1977 tek Përroi i Firarit, në një zonë të thellë të malësisë së Librazhdit. Poetët u ekzekutuan me duar të prangosura sepse polici që mbante çelësat e prangave, një fshatar nga largësia e Shebenikut, ishte me pushim në shtëpinë e tij atë natë që erdhi urdhëri i pushkatimit të tyre.

Genc Leka dhe Vilson Blloshmi, djem të lindur në fshatin Bërzeshtë të Librazhdit, i pari në mars të vitit 1941 dhe tjetri në mars të vitit 1948 ishin kushërinj të parë. Të dy mundën të kryenin vetëm arsimin e mesëm. ( shkollën pedagogjike Elbasan) Për më tepër, nuk iu dha mundësia mbasi ata ishin cilësuar nga partia në pushtet si elementë me biografi të keqe.  Sipas Kastriot Dervishit, ish-drejtori i Arkivit të Ministriesë së Brendshme: “Çështja e trajtimit të tyre në një proces agjenturialo-operativ të centralizuar nis në maj 1975. U implikuan 39 persona. Regjimi kërkoi të lidhte gjoja "sabotimet" në kooperativë me një grup "armiqsh" që ishin familje kulakësh, në krye të të cilëve qëndronin intelektualë si poetët Blloshmi e Leka. Për këtë arsye u nxorën në gjykim 8 të pandehur, një pjesë e të cilëve u përdorën për të dënuar të ekzekutuarit (formulë e njohur kjo e proceseve komuniste). Bedri Blloshmi u arrestua më 3.4.1976. Pas një hetuesie të gjatë e barbare, përfshi trajtimin e ekspertizave letrare, gjyqi ndaj tyre në kinemanë e Librazhdit ishte një demonstrim i urrejtjes klasore, një triumf i ligësisë ndaj të drejtës e moralit njerëzor.

Për vite me radhë këtë çështje e ka zbardhur me përkushtim të veçantë, Bedri Blloshmi (i dënuari i tretë i këtij procesi), vëllai i Vilsonit, i cili arriti të zbulojë vendpushkatimin e tyre, si dhe të grumbullojë një dokumentacion të bollshëm, një pjesë të së cilit e ka botuar.

Procesi ndaj poetëve u zhvillua në Librazhd më 6-13 qershor 1977. Me vendimin nr.45, datë 13.6.1977 Gjykata e Rrethit Librazhd, i dënoi poetët me vdekje, pushkatim dhe Bedri Blloshmin me 25 vjet burgim. U la në fuqi nga Gjykata e Lartë me vendimin nr.202, datë 2.7.1977. Më 16.7.1977 Presidiumi i Kuvendit Popullor njoftoi refuzimin e faljes së jetës. Një ditë më pas, ministri i Punëve të Brendshme nxjerr urdhërekzekutimin, i cili realizohet më 17.7.1977. Nga kërkimet e bëra, nuk është arritur të gjendet procesverbali i fjalës së fundit të poetëve.”

Ky homazh i shkurtër për poetët e pushkatuar nga diktatura komuniste mbyllet me rreshtat e poezisë së Vilsonit:

Nëse nuk munda brengës t’i bëj ballë.

Zjarr përsëri unë kam në shpirt të djegurë

Nëse m’i vdekur jam se çdo I gjallë

Mirë pra, m’i gjallë jam se çdo i vdekur.”

 

 

 

Të fundit