Flash News

KRYESORE

Sot dita e parë e shkollës, nxënësit përballen me masat kundër pandemisë

Sot dita e parë e shkollës, nxënësit përballen me masat

Teksa ndodhemi në një situatë aspak të zakonshme në kushtet e pandemisë së COVID, rreth 480 mijë nxënës do të ulen në bankat e shkollave, për të nisur vitin e ri mësimor 2020-2021.

Ashtu siç është deklaruar edhe më parë,  në shkolla do të ndiqen një protokoll i veçantë sigurie, në mënyrë të tillë që të minimizohet përhapja e virusit.

Sipas udhëzimeve të dhëna nga Ministria e Arsimit, mësimi këtë vit do të zhvillohet për disa shkolla me 2, 3 apo dhe 4 turne, në mënyrë të tillë që fluksi i nxënësve të jetë më i vogël në klasa.

Ndërkohë,  nëpër banka lejohet të ulet vetëm një fëmijë, i cili duhet të jetë detyrimisht i pajisur me maskë dhe dezifektant.

Janë rreth 30 mijë mësues të angazhuar për vitin e ri shkollor, ndërkohë që mësimi nuk do të nisë në të gjitha shkollat, pasi disa prej tyre janë në fazë rikonstruktimi për shkak të dëmtimeve nga tërmeti.

Aktualisht, 94 shkolla nuk do të hapin dyert sot por më vonë.

Kujtojmë se një ditë më parë, Ministrja e Arsimit, Besa Shahini, rikujtoi rëndësinë e masave anti-COVID teksa theksoi se “nxënësit i pret një normalitet i ri”.

Shahini gjithashtu nënvizoi se duhet mbajtur maska, si dhe të respektohen distanca e të tjera rregulla.

Ndërkohë, të shumta kanë qenë edhe reagimet e politikanëve të tjerë, nga opozita dhe mazhoranca, te cilët përveçse kanë uruar nxënësit dhe mësuesit për vitin e ri shkollor, kanë vërë thirrje për zbatimin e respektimin e masave kundër COVID.

Kreu i PD, Lulzim Basha, në një reagim të tij në Facebook i bëri apel qeverisë të zbatojë 5 pika, ndër të cilat është edhe testimi i mësuesve për COVID, para nisjes së mësimit.

Monika Kryemadhi gjithashtu ka uruar nxënësit, mësuesit dhe prindërit për nisjen e shkollës, teksa ka theksuar me bindje se ky do të jetë viti i fundit që familjet shqiptare i nisin fëmijët të edukohen në një sistem arsimor të dëmtuar në palcë.

Reagimet nuk kanë munguar këtë mëngjes as nga Kryeministri Rama e Presidenti Meta, te cilët nëpërmjet postimeve në Facebook kanë uruar nisjen e vitit të ri shkollor.

Viti i ri shkollor nis sot dhe në Kosovë ku janë shpërndarë 500 mijë maska për nxënësit e mësuesit. Mbajtja e tyre është e detyrueshme, ashtu si respektimi i distancës e higjiena.

Të fundit