Flash News
Si e toleroi Ceno Klosi kompaninë e inceneratorëve, negociatat e dyshimta për miliona euro
Flet Abazoviç: Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE
Pas arrestimit të Berberit, Rama emëron drejtorin e ri të Autoritetit Rrugor Shqiptar
Përfshihet në flakë një apartament te bulevardi ‘Zogu i Parë’ në Tiranë
Berisha: Ishim opozita e parë që kërkuam anëtarësimin në NATO pas rënies së komunizmit
Osman Stafa*
Zakonisht jemi mësuar që, për çdo skandal ku përfshihen persona politikë, fillojmë gallatat me statuse dhe ironizojmë. Por, a mjafton ironia dhe statuset për detyrën tonë qytetare?
A mjafton përçmimi për t'jua hequr Shqipërinë nga duart hajdutëve, gënjeshtarëve, të korruptuarve, kriminelëve?
Nuk mundemi t’ua lëmë Shqipërinë këtyre politikanëve pa shtyllë kurrizore, të cilët marrin pushtetin me vjedhje, të cilët prej 30 vitesh nuk janë ngopur duke na zhavtur të gjithëve.
Nuk mundet t’ia lëmë Shqipërinë, sepse në fund jemi ne që do paguajmë çdo gjë, do e paguajmë shtrenjtë madje. Shumica po e paguan edhe sot. Nuk mund të flasin sepse u fluturon koka nga puna. Janë të detyruar njerëzit të mbajnë gojën mbyllur sepse pushtetari të kërcënon me të ardhmen e fëmijëve.
Shteti abuzon me tendera, abuzon me pushtetin, abuzon me lekët tona, vjedh dhe tjetërson verdiktin tonë si votues dhe ne nuk ngremë krye, ne nuk reagojmë. Pse, kaq të pafuqishëm jemi?
Po si t’ia besoj të ardhmen time në këtë vend këtyre politikanëve, të cilat i “fluturojnë” njerëzit e thjeshtë me një telefon, duke i kërcënuar? Kush janë këta? Pse, edhe sa do durojmë?
Këto ditë kam menduar ta braktis Shqipërinë. Të iki. Ashtu siç kanë bërë shoqëria ime. Kur i shikoj që janë shpërndarë nëpër botë dhe po ndërtojnë jetën e tyre shumë mirë, them, po unë, për çfarë të rri më?
Këtu çdo gjë është me mik, ose me para. Këtu s’ka meritokraci. Këtu të rinjtë s’kanë më të ardhme. A e dini që të rinjtë e Shqipërisë janë konsumatore të lëndëve narkotike më shumë se kurrë më parë?
A e dini se kërkesat e drejtorëve (shtet dhe privat), karshi vajzave të reja, për të fituar një vend pune është favori seksual?
A e dini që Shqipërisë po i ikin mjekët e infermierët? Për 10 vite, vetë mjekët që kanë mbetur thonë që do përballemi me një krizë të frikshme të mungesës së bluzave të bardha?
A e dini që ilaçeve në Shqipëri u manipulohet data e skadencës?
A e dini qe ilaçet në Shqipëri nuk japin rezultat sepse janë të skaduara?
A e kuptoni çfare po konusmojmë?
A nuk e kuptojmë që arsimi në Shqipëri, fillor, i mesëm dhe i lartë është në ditën më të keqe? Shkojnë studentët në shkollë të lartë dhe nuk dinë akoma të shkruajnë shqipen stardarde minimale.
A nuk i pamë kriminelët në Kuvend që ikën njeri pas tjetrit? Ata ishin deputetë. Dikush i vuri aty. Mbajti dikush përgjegjësi?
Po Shqipërinë që e kthyem në një hartë të drogës?
Po që duan të na kthejnë vizat?
Po Prokuroria e Përgjithshme ku është?
Po Gjykatat ku janë? Gjykata Kushtetuese?
Të gjitha këto janë përgjegjësi të pushtetit aktual. Dhe nëse nuk reagojmë për çfarë ka ndodhur, nesër do të jetë shume vonë. Ne do të legjitimojmë korrupsionin, vjedhjen që na bëhet, krimet e tyre, duke mos reaguar.
Çfarë duhet të ndodhë tjetër në këtë vend që të reagojmë duke e zëvendësuar të gjithë këtë klasë politike?
Klasa aktuale vendosi për gati 30 vite për të ardhmen e saj. Tani është koha jonë, nëse duam të kemi të ardhme, nëse jo, atëherë le të pranojmë të keqen që na ka rënë mbi kokë dhe të jetojmë me të.
Dhe kjo e keqe nuk pyet për socialistë, demokratë, apo për këdo person tjetër që përfaqëson një bindje tjetër politike; kjo e keqe është mbi të gjitha kokat tonë dhe duhet të shpëtojmë. Ndryshe ky vend s’ka të ardhme. Ne s’kemi të ardhme. Pastaj kemi një rrugë, vetëm të ikim. Por unë nuk dua të iki, dua të qëndroj, e dua këtë vend, është mëmëdheu im…
Për një herë të vetme mendoni me mendje të kthjellet, pa menduar që je demokrat apo socialist, çfarë të mirë i ka sjellë kjo politikë këtij kombi?
Mendoni njëherë të vetme si Shqiptarë dhe hajde të reagojmë të gjithë bashkë. Ndryshe, të pranojmë të keqen, të jetojmë me të, të bëhemi të gjithë pa shtyllë kurrizore, të pamoralshëm ose të ikim dhe ta harrojmë Shqipërinë.
*Autori është gazetar