Sot mblidhen liderët e partive, mediat maqedonase: Zgjedhjet e parakohshme do të mbahen në mars të 2020-ës

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare pritet të mbahen në mars të vitit 2020.

Kështu shkruan media maqedonase ‘tetovasot’, pas deklaratës së djeshme të kryeministrit Zoran Zaev, për shkak të dështimit të marrjes së datës për negociata me BE.

Zaev deklaroi në një konferencë për shtyp se pavarësisht refuzimit, reformat në vend duhet të vijojnë normalisht, ashtu si edhe implementimi i marrëveshjeve, kryesisht me Greqinë.

Nga ana tjetër edhe kreu i BDI, Ali Ahmeti u shpreh se partia e tij është e gatshme të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Ndërkohë, sot në orën 17.00 pritet të zhvillohet takimi mes liderëve të Maqedonisë së Veriut në rezidencën presidenciale “Vila Vodno”, e iniciuar nga presidenti Stevo Pendarovski, lidhur me organizimin e zgjedhjeve të parakohshme.