Spaho “hedh poshtë” marrëveshjen me qeverinë: Pazar imagjinar i Edi Ramës

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Edmond Spaho ka sqaruar atë që thuhet për një marrëveshje mes PD dhe PS.

Spaho tha në News 24 se kjo është një teori e stisur nga rrethi i ngushtë i Ramës.

“PD është e vendosur dhe nuk do të nënshkruajë asnjë marrëveshje pa u larguar Rama nga posti i kryeministrit.”- deklaron Spaho.

“Ky është një spekulim i pastër që vjen nga rrethet e kryeministrit Edi Rama. Për të dalë nga kjo situatë hedhin shashka të tilla, por qëllim ynë është i qartë: nuk kemi hyrë në këtë betejë për pazare dhe interesa të ngushta, por kemi hyrë për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Një dialog e bëmë në 2017, e kishim kërkesën që me Ramën nuk shkojmë në zgjedhje, por shkuam dhe rezultati tregoi se ai manipuloi zgjedhjet. Si kryetar i PS, por jo si kryeministër është e drejtë e tij të jetë në tryezën e partive politike. Pazar me Edi Ramën nuk ka pasur dhe nuk do të ketë. Rama me kokëfortësi kërkon të marrë të gjitha pushtetet. Ai po ecën në këtë rrugë. Edhe shtypi ndërkombëtar mbështet opozitën dhe ushtron presion për ndryshime të shpejta dhe substanciale në tërësi.”

Spaho nënvizoi se protestat në Shqipëri nuk kanë qënë të dhunshme dhe se djegia e mandateve ishte një proces i dhimbshëm për opozitën.

“Në asnjë rast protesta në Shqipëri nuk ka qenë të dhunshme. Arritja deri tek djegia e mandateve ishte proces i gjatë dhe i dhimbshëm për opozitën. Jemi të gatshëm që të ndryshojmë sistemin zgjedhor. Prej ‘90 keni ndryshuar sistemin në formë të vazhdueshme”, është shprehur Spaho.