Flash News

KRYESORE

Spaho: Qeveria theu marrëveshjen që kishte me protestuesit. I arrestoi natën

Spaho: Qeveria theu marrëveshjen që kishte me protestuesit. I arrestoi

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edmond Spaho, ka bërë të ditur se mes qeverisë dhe protestuesve ka pasur një akord i cili është thyer nga qeveria.

Spaho tha se palët kishin rënë dakort që të pezullohej protesta tek ‘Rruga e Kombit’ dhe të mos arrestoheshin njerëz dhe më pas të dialogonin së bashku me autoritetet vendore për gjetjen e një zgjidhjeje. Por qeveria, u shpreh kreu i grupit parlamentar demokrat, e theu marrëveshjen duke arrestuar 23 protestues.

“Ka pasur një akord ndërmjet qeverisë dhe protestuesve, që të pezullohej protesta që bëhej në ‘Rrugën e Kombit’ dhe të mos arrestoheshin njerëz. Të hyhej në dialog me autoritetet vendore për të gjetur një zgjidhje së bashku me përfaqësuesit e protestës.

Për fat të keq, qeveria e theu këtë marrëveshje në mirëbesim ndërmjet palëve dhe gjatë natës arrestoi 23 veta. Bile nëpërmjet veprimeve të dhunshme me forca speciale, me maska, a thua se po kapnin kriminelët më të mëdhenj të këtij vendi të cilët në të vërtetë bredhin të lirë”, u shpreh Spaho.

Të fundit