Spanja dhe Turqia kthejnë testet e blera në Kinë: Janë të pasakta

Spanja dhe Turqia kanë vendosur të mos përdorin testet që janë prodhuar në Kinë, që kryhen për koronavirusin. “Ne kemi marrë disa mostra nga kompania. Nuk dolën të saktë, ndaj porositëm disa modele të tjera të testimit nga një kompani tjetër kineze”, tha një zyrtar turk për mediat.

Ende nuk ka një informacion se sa është sasia e testeve të blera dhe sesa buxhet është harxhuar për blerjen e tyre. Ky vendim i Turqisë vjen direkt pas atij të Spanjës, e cila ktheu 58 mijë teste Covid-19 të prodhuara në Kinë, për të njëjtën arsye.

Qeveria spanjolle kishte shpenzuar 432 milionë euro për të blerë teste, maska, doreza, pajisje mbrojtëse nga koronavirusit në Kinë.

Nga ana e saj qeveria kineze, deklaroi se testet e blera nga Spanja janë prodhuar nga një kompani, e cila nuk është në listën e prodhuesve të autorizuar, ndaj përgjegjësia për këtë i bie Spanjës.